Aktualitet

Privatizimi i fabrikës “Buka”, shtyhet për më 16 shkurt seanca paraprake për Arben Ahmetajn!

Shtyhet për më 16 shkurt seanca paraprake ndaj ish-ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj në lidhje me privatizimin e fabrikës Buka. Shkak u bë mungesa e prokurorit. Ndaj Ahmetajt është ngritur akuza për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në vlerë dëmi rreth 7 miliardë lekë të vjetra. Ish-numri dy i qeverisë ndodhet prej muajsh në kërkim ndërkombëtar.

Kjo është një tjetër shtyrje pas asaj të 18 janarit për në datën 2 shkurt, pra sot të seancës paraprake për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj. Më 18 janar, Ahmetaj u përfaqësua nga avokati i tij. Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, seanca ishte planifikuar të zhvillohej me dyer të mbyllura.

Pas shtyrjes së seancës, avokati kërkoi që gjykimi të konsiderohej i pavlefshëm, me pretendimin se SPAK-u ishte i paqartë në qëndrimin e tij.

Kërkesa për gjykim të konsiderohet e pavlefshme, aktet t’i rikthehen prokurorisë të njohë mbrojtjen dhe për t’u vijuar më pas procedura, qëndrimi i SPAK-ut  nuk pati një vendim të qartë, gjykata kërkoi kohën e saj.

Ndaj Ahmetajt, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë ngritur procedimin penal për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shtetit ka vendosur në sekuestro preventive 6 pasuri të personit nën hetim, Arben Ahmetaj.

Më 20 korrik, SPAK-u i dorëzoi policisë urdhërin për ekzekutimin e masës së arrestit me burg për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i larguar nga Shqipëria që më 7 korrik, pak para se Prokuroria e Posaçme të firmoste kërkesën drejtuar parlamentit për arrestimin e tij dhe që u miratua në një seancë të jashtëzakonshme.

Sipas Prokurorisë, Ahmetaj dyshohet për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim apo fshehje pasurie. Hetimet zbuluan lidhje të ngushta mes tij dhe dy sipërmarrësve të cilët fituan kontratat për inceneratorët e Elbasanit, Fierit e Tiranës, si dhe favorizme që iu ofroi kur ishte ministër i Ekonomisë dhe më pas i Financave, në këmbim të shpërblimeve në forma të ndryshme. Po për çështjen e inceneratorëve, në burg janë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist, Alqi Bllako.

Ndërkaq, për shkak të mungesës së gjatë në Kuvend, Ahmetaj humbi edhe mandatin e deputetit të PS-së që i kaloi Plarent Ndrecës. Po ashtu, iu hoq edhe pasaporta diplomatike.