Aktualitet Politikë

Rama reagon për deklaratën e Vulin: Shihni fytyrën e Vulin dhe s’ka nevojë për koment!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për deklaratën e zëvendës kryeministrit serb, Aleksander Vulin, se “Vetëm bota serbe e ndal Shqipërinë e Madhe”.

I pyetur nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, në një bisedë me gazetarët pas Samitit Rajonal të Ballkanit Perëndimor me BE, Rama u përgjigj shkurt. “Shihni fytyrën e Vulin dhe s’ka nevojë për koment’, tha ai.

“Një njeri i mençur ka thënë se pas të 40 çdo njeri mban përgjegjësi për fytyrën që ka, nëse e shikoni fytyrën e personit të cilit i referoheni, mendoj se s’ka nevojë për asnjë kom tjetër”.

Duke iu referuar vizitës dhe takimit të kryeministrit Rama me diasporën shqiptare në Greqi, Vulin tha se Shqipërinë e Madhe mund ta ndalin vetëm bota serbe, por pse jo sipas tij, edhe grekët, duke iu shtrirë dorën për bashkëpunim.

“Herën tjetër që qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në mes të Athinës. Atë që Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë. Njohja e të ashtuquajturës Kosovë nga autoritetet greke dhe pranimi i Prishtinës në Këshillin e Evropës, do të ishte një kontribut i pamatshëm i Qeverisë së Greqisë dhe Dora Bakoyanis në krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shqipëria mund të ndalet vetëm nga serbët dhe bota serbe, por edhe nga ju grekë të dashur, grekët tanë. Ju lutem mendoni për këtë”.

Për këtë deklaratë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, thirri një ditë më parë ambasadorin e Serbisë, Slobodan Vukčević, për t’i kërkuar sqarime. “MEPJ pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian”, tha ministria në reagimin e saj.