Aktualitet Politikë

Rama: Shumë shpejt, ata që kanë zanat do konkurrojnë pagat që merren në Gjermani!

Nga Asambleja e Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama tha se vitin e ardhshëm do të rriten sërish pagat në sektorin publik, që do të nxisin më pas edhe rritjet në sektorin privat.

“Vitin e ardhshëm do të bëjmë një rritje për mjekët e përgjithshëm, për infermierët për punonjësit e policisë, për Forcat e Armatosura dhe për të gjitha punonjësit e tjerë të shtetit shqiptar, për mësuesit, që do e çojë pagën e mesatare 900 euro në mes të vitit të ardhshëm. Që Shqipëria të ketë pagën mesatare 900 euro nuk është mrekulli, por krahasuar me disa vite më parë… do dukej premtim elektoral. Kjo do të sjellë rritje pagash në sektorin privat, si rezultat i nxitjes që i bëri qeveria duke rritur sektorin publik. Jam i bindur që sezoni i ardhshëm turistik do i çoj pagat në sektorin e turizmit, do i çojë në nivele edhe më të larta. Kemi një rikthim të informalitetit si pasojë e rritjes së pagave. Një pjesë jepen në dorë, por është fakt që sot në industrinë e turizmit pagat janë mëse konkurruese me vendet e tjera nga kamerierët, tek menaxherët.”-tha Rama.

Rama insistoi që prindërit t’i drejtojnë fëmijët e tyre në shkolla profesionale, duke thënë se është shumë e afërt koha që në fund të muajit, ata që kanë zanate, tu dalin llogaritë po aq sa në Gjermani.

“Këtu lind nevoja për të rritur këmbënguljen tonë për të çuar sa më shumë në veshin e prindërve që kanë fëmijë në fund të nëntë vjeçare mesazhin që nëse fëmijët nuk kanë prirje të fortë për të mësuar, është gjynah ndaj tyre që t’i mbash me zor në shkollë të mesme të përgjithshme dhe të mos tu japësh një zanat. Kjo është një kohë që gjithmonë e më shumë do të jetë e artë për ata që kanë zanate. Këtu ata që kanë zanate, kanë shansin që realisht të kenë në pak vite një pagë që për atë lloj punë, nuk bën diferencë në fund të muajit nga paga që mund të marrin duke ikur në Gjermani e ku di unë. Në fund të muajit domethënë, atyre që bëjnë një punë të zakonshme në Gjermani apo ku do qoftë, nuk i ngelet gjë në fund të muajit, se kostoja e jetesës është rritur në mënyrë marramendëse.”-tha Rama.