Aktualitet Politikë

Rama takohet me Xhaferrin në Mynih: Bashkëbisedim vëllazëror mbi sfidat e përbashkëta!

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Gjermani ku ndodhet në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih është takuar edhe me Talat Xhaferi i cili më 28 janar u zgjodh si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Rama tha se ka diskutuar me Xhaferrin lidhur me sfidat e përbashkëta dhe për programin e 2 samiteve që do të mbahen në Tiranë në fund të muajit shkurt.

“Mynih – Me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, mikun tim Talat Xhaferri, pas një bashkëbisedimi vëllazëror mbi sfidat e përbashkëta dhe programit të dy samiteve të fundshkurtit në Tiranë, për Ukrainën si edhe për Planin e Ri Ekonomik Europian të Rritjes”– shkruan Rama.

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, që do të mbahet për tre ditë radhazi, 16-18 shkurt.

Pas vizitës në Tiranë, një ditë më parë mbërriti edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u nis drejt Gjermanisë për t’iu bashkuar punimeve të Konferencës së Sigurisë e cila mblidhet si çdo vit, por duket se këtë herë do të jetë ndër më të rëndësishmet në historinë 60-vjeçare.

E quajtur “Davosi i Mbrojtjes”, Konferenca e Sigurisë së Mynihut do të mbledhë rreth 60 krerë shtetesh dhe mbi 85 zyrtarë qeveritarë në qytetin bavarez për të diskutuar çështjet aktuale dhe të ardhshme të sigurisë globale.

Siguria është rritur në të gjithë qytetin, me 5,000 policë dhe automjete përforcuese të dukshme në shumicën e rrugëve kryesore. Takimi i liderëve pritet të shoqërohet me protesta, ku qindra protestues pritet të mblidhen jashtë vendit ku zhvillohet konferenca, Hotel Bayerischer Hof, për të protestuar për atë që ata quajën shkelje të të drejtave të njeriut nga Irani.