Aktualitet Lifestyle Sociale

Raporti i Lumturisë, Shqipëria ndër më të palumturat në Europë!

Raporti i lumturisë, këtë vit Shqipëria ra një pozicion duke u renditur në vendin e 91-të mes 146 shteteve, ndërsa nga të Europës lëmë pas Turqinë, e 102-ta, si dhe Maqedoninë e Veriut e Gjeorgjinë. Në rajon, Maqedonia e Veriut pësoi rënie me tre pozicione dhe e gjen veten të 92-ën në klasifikim, pas Shqipërisë. Progres për Bosnjë-Hercegovinën, e 63-ta. Thënë ndryshe, katër vende më lart se viti i mëparshëm. Mali i Zi, gjithashtu u ngjit me katër pozicione por qëndron pas Bosnjës, i 71-ti. Në dallim nga një vit më parë, ka një rënie me katër vende për Serbinë, tashmë e 47-ta.

Raporti i Lumturisë (World Happiness Report), botim i Rrjetit të Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së (UN Sustainable Development Solutions Network), bazohet në një anketë vjetore.

Për realizimin e saj pyeten rreth 1 mijë individë në afro 150 vende të botës, të cilëve iu kërkohet të bëjnë një renditje nga 1-shi te 10-ta. Kjo për të parë nëse janë duke jetuar mirë apo jo. Shtetet klasifikohen sipas lumturisë, bazuar në vlerësimet mesatare të jetës së tyre gjatë tre viteve të mëparshme, në këtë rast 2020-2022.

Raporti identifikon kombet më të lumtura, ato në fund të shkallës së lumturisë, plus faktorët që priren të çojnë në lumturi më të madhe. Treguesit në të cilët bazohet indeksi bazohen te të ardhurat për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme, mbështetjen nga miqtë e të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit.

Studiuesit përdorën Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje, mbështetjen sociale, bamirësinë, korrupsionin e ulët, bujarinë në komunitet, ku njerëzit kujdesen për komunitetin e për njëri-tjetrin, lirinë për të marrë vendime të rëndësishme në jetë, si dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit. Renditjen globale sa i përket lumturisë e dominojnë vendet nordike.