Politikë

Reforma Territoriale, PS: I qëndrojmë ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe! PD kërkon 92 bashki dhe 6 rajone

Partia Socialiste rrëzoi propozimin e grupit parlamentar demokrat për të rritur numrin e bashkive nga 61 në 92 dhe qarqet nga 12 në 6 rajone.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fund të mbledhjes së grupit tha sot se kanë arritur në përfundimin se PS i qëndron ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.

“Ka pasur propozime edhe për zvogëlim edhe për zmadhim të numrit. Nisur nga fakti që kanë kaluar vetëm 7 vite nga reforma e fundit. Të gjitha reformat janë përmirësuar. Ne kemi përmirësuar edhe shërbimin online. Kemi konkluduar që pozicioni ynë në komisionin e posaçëm është t’i qëndrojmë ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.”- tha Balla nga Kryesia e Kuvendit.

Balla tha pas mbledhjes së grupit parlamentar se ndarja aktuale ka sjellë përmirësim në shërbime në të gjithë territorin e kjo është arsyeja pse konsiderohet e duhura.

Partia Demokratike reagoi sot pas qëndrimit të socialistëve për të mos prekur hartën territoriale e për rrjedhojë numrin e bashkive që aktualisht është 61.

Bashkëkryetarja demokrate e komisionit të posaçëm të reformës territoriale, Dhurata Çupi tha se kjo është tallje me Parlamentin dhe partnerët që u angazhuan në një diskutim për ndryshimin e hartës territoriale.

Statusi i Çupit:

Është tallje me qytetarët që duan ndryshim tê hartës.

Është tallje me partnerët që u angazhuan nê proçes.

Ështe tallje me parlamentin.

Ështe shpërdorim i taksave të qytetarëve, për njê proçes të paracaktuar nga vullneti i Edi Ramës.

Edi Rama ka frikë të përballet në një betejë të vertete elektorale dhe kërkon rezultat ne tavoline. Kështu ka bêre në çdo zgjedhje. Kur ndryshoi hartën territoriale në 2015, kur ndryshoi në mënyrë të njëanshme sistemin zgedhor.

Edi Rama ka frikë nga vota.

Përgjigja e qytetarêve do të jetë referendumi. Ne do të kërkojmë referendum për ndryshimin e hartës territoriale.

Askush nuk mund të dalë mbi vullnetin e zgjedhësve.