Aktualitet Politikë

Reformë edhe te inspektimet! Rama njofton ndryshimet: Këshillim dhe jo gjobë herën e parë, bizneset korrekte nuk kontrollohen!

Inspektoriatet do të reduktohet dhe do të shkëputen nga ministritë, për të dalë në formë autonome.

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot për ndryshimet, ku synohet një bashkim i një sërë funksionesh që sot janë të ndara në një grup inspektoratesh, një shkëputje e inspektorateve nga ministritë, për të dalë si një forcë e re dhe autonome.

“Kjo do të thotë që të krijojmë bazën për të çelur një fazë krejt të re në këtë drejtim duke ndryshuar dhe qasjen, por edhe përmbajtjen në të gjithë kornizën e shtetit të figurës së inspektorit dhe duke e kaluar figurën e inspektorit në një status të ri, siç është statusi po themi që kanë doganat, apo statusi që kanë një pjesë e sistemit të tatimeve, apo statusi që ka shërbimi civil i Republikës së Shqipërisë dhe kjo trupë, nuk do të jetë një trup e cila do të ketë edhe gurin edhe arrën, se dhe kjo është shumë e rëndësishme. Pra nuk do të jetë një trupë që edhe do të vendos gjobat, edhe do të marrë në shqyrtim ankesën. Marrja në shqyrtim e ankesave do të bëhet edhe me pjesëmarrjen në trupa të komisioneve të apelimit, të përqafuesve të biznesit, në mënyrë transparente dhe në mënyrë sa më kolegjiale, për të krijuar një barrikadë, e cila të mos kapërcehet dot aq lehtësisht sa kapërcehet sot, ku përgjithësisht komisionet e apelimit lënë në fuqi vendimet e marra më parë nga inspektorët.

Përtej kësaj do të vendosim një parim të ri, jo gjobë në vizitën e parë. Parimi “jo gjobë në vizitën e parë”, do ta bëjë të pamundur shfaqjen në befasi të ca inspektorëve te dera dhe vendosjen e një gjobe ose mos vendosjen e saj në bazë të marrëveshjes së heshtur, por konkrete mes inspektorëve dhe biznesit që i përcjell nga dera duke i dhënë atë që ju biznesmenët, që doni që korrupsionin ta luftojë vetëm qeveria, ndërkohë që ju jeni viktimat në aspektin ku bëhet fjalë për raportin me inspektorët, se pastaj nuk jeni viktima, jeni agresorë në rastin kur përfshiheni vetë në procese që janë të paligjshme. Ndërkohë që kjo nuk mund të funksionojë kështu, ama në fund të ditës marrëdhënia është shumë e qartë, nuk është biznesi për t’i shërbyer shtetit, është shteti për t’i shërbyer biznesit në aspektin e kushteve dhe në aspektin e garantimit të të gjithë hapësirës së konkurrencës së lirë dhe të drejtë.

Prandaj duhet të jetë shteti që të hedhë gjithmonë hapin e parë dhe hapi i parë që në këtë rast për të shkuar shumë më larg në procesin e shtet bërjes dhe shumë më pranë krijimit të një shteti anëtar të Bashkimit Europian këtu në Shqipëri është vizita e parë, s’ka gjobë. Ka vetëm regjistrim të problemit dhe këshillim dhe kjo do të bëjë që vizita e dytë të jetë me një afat të përcaktuar. Pra mes vizitës së parë pa gjobë dhe të dytës nuk mund të ketë shfaqje të befasishme atje se erdhën festat e Vitit të Ri dhe një inspektor X apo Y do të blejë një gjel deti plus, por do të pritet afati. E ndërkohë problematika do të trajtohet nga institucioni dhe do të trajtohet dhe nga institucioni qendror, Ministria përkatëse për të parë se si qëndrojnë nga pikëpamja e karakteristikave të tyre këshillimet ose gjetjet e bëra në procesin që ka përfunduar me këshillim”.

Biznesi, njoftoi Rama, do të klasifikohet dhe sipërmarrjet korrekte, nuk do të kontrollohen.

“Do të jenë në një fashë A të regjistrit të bizneseve ku faktikisht askush nuk mund të shkojë t’i bëjë kontroll. Do jenë zonë e ndaluar për inspektime. Pse? Për faktin që kanë treguar në një proces kohor që i janë përmbajtur kontratës me shtetin në mënyrë korrekte. Kjo e shoqëruar me inspektime mbi bazë risku, jo mbi bazë territori të inspektorëve që duhet të shkojnë në çdo derë se e kanë territor dhe të trokasin për kafe. Do ta lehtësojë shumë numrin e inspektimeve, do të ulë shumë numrin e inspektimeve. Ne kemi një numër inspektimesh që është katastrofik dhe nuk tregon në fakt forcë, por tregon të kundërtën, tregon dobësi. Nuk tregon në fakt përmbushje misionit, por tregon boshllëk dhe do të bëjmë që të ketë pak inspektime, të ketë shumë këshillim, por ama goditjet të jenë katastrofike për biznesin që nuk futet në binar. Pra numri i gjobave do të ulet në mënyrë drastike, por ama aty ku do vihet gjoba, aty do jetë goditje një hap larg vdekjes së atij biznesi, në kuptimin me pasoja të mëdha në financat e tij”.