Politikë

Rezoluta e PE për zgjedhjet, Berisha: U përfshinë edhe shqetësimet e PD

Ish kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim me 61 kandidatët, kryetarët e bashkive dhe kryetarët e degëve të Partisë Demokratike të Rithemelimit. Ai ka përgëzuar në fillim të fjalës së tij në këtë aktivitet të gjithë kryetarët e rinj të bashkive të konfirmuar nga zgjedhjet e 14 majit, kandidati të koalicionit të përbashkët opozitar “Bashkë Fitojmë”.

Berisha nuk ngurroi të përshëndesë rezolutën e Parlamentit Evropian, ku ndër të tjera u përfshinë edhe shqetësimet e PD-së së Rithemelimit për zgjedhjet.

“Së pari ju përshëndes përzemërsisht të gjithë drejtuesit dhe kandidatit e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për përpjekjen e madhe që bëtë në një fushatë në kushtet më të pabarabarta. Përgëzoj ata kandidatë që morën mandatin për kryetarë bashkie. Falënderoj nga zemra të gjithë ekipet e kandidatëve, të gjithë anëtarët dhe të gjithë ata që u angazhuan për suksesin e kandidatëve tanë në këtë betejë më të pabarabartën e zhvilluar ndonjëherë.

Para se të ndalem në problematikën për të cilën është thirrur kjo mbledhje, dëshiroj në emër të PD të falënderoj Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, i cili miratoi më 24 maj një rezolutë për Shqipërinë, rezolutë në të cilën janë pasqyruar problemet madhore të vendit, ndaj dhe unë po lexoj deklaratën e mëposhtme.

Javën e shkuar, Komisioni i Jashtëm i PE miratoi raportin për Shqipërinë 2022. Tekst i paraqitur nga deputetja socialiste Isabel Santos u shtua me amendamente të Partive Popullore Evropiane. Lidhur me zgjedhjet e 14 majit, raporti thekson se në Shqipëri duhet garantuar liria e partive të paraqiten në zgjedhje pa ndërhyrjen e aktorëve të tjerë shtetërorë. Ky pasazh i atribuohet PD-së. Për shkak të afateve, nuk janë paraqitur problematikat e shumta të zgjedhjeve.

Parlamenti Evropian kritikon vendimin për rrëzuar hetimin parlamentar për skandalin McGonigal. Parlamenti Evropian është i skandalizuar me kontratën e Portit të Durrësit me një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi kjo kontratë shkel MSA-në. Gjithashtu në raport thuhet se projekte si ai i Portit të Durrësit, duhet të zbatojë ligjin e prokurimeve publike.

Parlamenti Evropian shpreh shqetësimin për regresin e lirisë së medias dhe shprehjes. Raporti shpreh shqetësim se nuk ka progres në luftën kundër larjes së parave të krimit. Unë dua të falënderoj shumë të gjithë deputetët e Parlamentit Europian, grupin e punës të krijuar në PD me zotin Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Genc Pollo dhe bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët në një komunikim intensiv me parlamentarë europianë, arritën të paraqesin situatën dhe problematikat.”