Bota

Rikthehen tensionet, Izraeli vret një tjetër komandant palestinez!

Ibrahim al-Nabulsi, drejtues lokal i grupit militant palestinez, Brigadat e Dëshmorëve al-Aqsa u vra në një operacion izraelit në Bregun e pushtuar Perëndimor. Al-Nabulsi dhe dy persona të tjerë gjetën vdekjen gjatë bastisjeve në një shtëpi, në qytetin Nablus. Kryqi i Kuq Palestinez njoftoi se 40 vetë mbetën të plagosur. Brigadat e Dëshmorëve al-Aqsa janë të lidhura me Fatahun dhe lëvizjen palestineze që kontrollon Bregun Perëndimor.

Izraeli akuzonte al-Nabulsin për udhëheqje të një qelize të grupit që ka kryer sulme kundër izraelitëve në Bregun Perëndimor. Tre bashkëpunëtorë të tij u vranë në një operacion të kryer në shkurt, por Nabulsi pati ikur, siç raportuan mediat izraelite. Përgjatë fundjavës, Izraeli ndërmori sulme ajrore ndaj militantëve të grupit, Xhihadi Islamik Palestinez në Rripin e Gazës. Për pasojë, gjetën vdekjen të paktën 44 palestinezë, përfshirë dy komandantë të lartë. Po ashtu, militantët u kundërpërgjigjën me qindra raketa nga Gaza, duke lënduar lehtë disa izraelitë. Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Egjipti, tre ditë pas nisjes së luftimeve, hyri në fuqi të dielën.

Tensionet mes Izraelit dhe palestinezëve

Tensionet rriten shpesh mes Izraelit dhe palestinezëve që jetojnë në Jerusalemin Lindor, në Gaza e po ashtu në Bregun Perëndimor. Gaza udhëhiqet nga grupi militant palestinez, Hamas, i cili vazhdimisht lufton shtetin hebraik. Palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor thonë se janë duke vuajtur për shkak të veprimeve e kufizimeve izraelite. Por, në anën tjetër, Izraeli argumenton se është duke vepruar për të mbrojtur veten nga dhuna palestineze.

Një ndër pikat kyçe të mosmarrëveshjeve mes dy palëve ka të bëjë me Jerusalemin. Izraeli e konsideron të gjithë Jerusalemin si territor të vetin dhe si kryeqytet të pandashëm, ndërsa palestinezët kërkojnë që pjesa lindore të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen. Aneksimi i Jerusalemit Lindor nga Izraeli nuk njihet ndërkombëtarisht.