Celebrities Live From Tirana Music Showbiz

Rikthimi i mirëmenduar i Gresa Gjocera, këngëtarja zbulon projektet e saj të reja!

Këngëtarja Gresa Gjocera ka sjellë këngën e saj më të re, një baladë shumë e ndjerë, e cila së bashku me interpretimin e saj, tekstin dhe zërin e saj përcjell plot emocione. E ftuar në “Live From Tirana” ajo na ka zbuluar më shumë për këtë projekt të saj, por dhe për rikthimin në muzikë pas një periudhe të gjatë.

Gresa ti nuk je e panjohur për Top Channel, pasi vjen nga programi i talenteve “Pole Position”. Si ka shërbyer për ty kjo eksperiencë?

Unë kam marrë pjesë në “Pole Position” në vitin 2004. Jam krenare që jam produkt i Top Channel. Më shërbeu si një trampolinë për të arritur këtu ku jam sot.

Çfarë mund të na thuash për këngën e re “E zbrazët”?

Momentin e parë që e kam dëgjuar jam dashuruar me të. Ka ardhur pas një pauze prej 14 vitesh pa sjellë një projekt. Megjithatë, unë nuk kam hequr dorë asnjëherë nga muzika sidomos muzika live që e bëj prej 19 vitesh me dashuri dhe passion njësoj si ditën e parë. Mora materialin që më erdhi bashkë me një pjesë të vogël të refrenit. Aty kishte shumë pak tekst që më dha indicie për ta shkruar vetë. Dhe tekstin e kam shkruar vetë të kësaj kënge.

Cili është zhaneri muzikor ku e gjen më shumë veten?

Në preferenact e mia jam tek blues, funky, rock. Me kalimin e viteve kam pranuar edhe të tjera, por vazhdoj të mbetem tek të tilla rryma muzikore. Megjithëse gjithmonë më kanë ndjekur baladat. Unë kam natyrë shumë ‘happy’, por gjithsesi pëlqej që të dëgjoj muzikë slow. Unë lidhem shumë me tekstin para se të lidhem me muzikën. 

Do të kemi projekte të reja së shpejti nga ti?

Unë rikthimin e bëra të mirëmenduar, do të vazhdoj e nuk heq dorë. Kam një projekt tjetër që do e nxjerr në verë dhe pas tij kam dhe një tjetër që do të vijë pas verës.  Që në momentin e parë kur u riktheva me “Imja dashuri”, aty më dha dashurinë për ta vazhduar. Ishte një goditje në zemër.

Nëse edhe juve ju pëlqen kënga “E zbrazët” nga Gresa Gjocera, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e klasifikimit të “The Top List”.