Botë e Çuditshme Tech

Risia teknologjike e bërë virale në rrjet, të paguash në metro dhe supermarkete vetëm me pëllëmbën e dorës!

Sado që mendojmë se teknologjia nuk mund të avancojë më shumë, duket se inteligjenca artificiale do të vazhdojë të na surprizojë. Një risi teknologjike që është bërë së fundmi virale në rrjet, e krijuar nga një kompani kineze dhe i ofron njerëzve mundësinë të paguajnë duke përdorur pëllëmbën e tyre të dorës. Sipas një raporti të South China Morning Post, gjiganti kinez i mediave sociale “Tencent Holdings” po lejon pasagjerët e metrosë së Pekinit të paguajnë për udhëtimet duke përdorur pëllëmbën.

Një video e pagesës duke përdorur pëllëmbën e dorës po bëhet virale në mediat sociale ku një person mund të shihet duke paguar në këtë formë edhe në një market. Teknologjia, e lidhur me platformën popullore WeChat Pay, përdor të dhëna biometrike të regjistruara, duke përfshirë printime unike të pëllëmbës së dorës dhe modele venash, për të nxitur pagesat. Më herët, në vitin 2020, edhe Amazon lançoi gjithashtu një pajisje të ngjashme me emrin Amazon One, e cila u lejon përdoruesve të blejnë gjëra dhe të bëjnë pagesa duke përdorur pëllëmbën e dorës.