Bota

Rrëzimi i një avioni, presidenti Zelensky kërkon hetim ndërkombëtar mbi akuzat e Kremlinit!

Kremlini akuzon sërish Ukrainën për rrëzimin e një avioni ushtarak rus që po transportonte 65 ushtarë ukrainas të kapur gjatë luftës. Ata do të shkëmbeheshin. Presidenti Volodymyr Zelensky bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të këtij rasti. Avioni u rrëzua në rajonin e Belgorodit pranë kufirit me Ukrainën.

Rrëzimin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e quajti “akt monstruoz”, por Moska ende nuk ka paraqitur ndonjë provë se u rrëzua nga një raketë ukrainase apo që ushtarët ukrainas ishin në bord. Zelensky u shpreh:

Duhet të vërtetohen të gjitha faktet… shteti ynë do të insistojë për një hetim ndërkombëtar.

Shkëmbimi i të burgosurve planifikohej të bëhej më 24 janar dhe sipas Kievit, Rusia nuk e informoi Ukrainën se të burgosurit ukrainas do të fluturonin me avion mallrash.

Drejtoria kryesore e Inteligjencës në Ukrainë tha se nuk ka “informacion të besueshëm dhe gjithëpërfshirës” se kush ishte në bordin e avionit, por theksoi se të burgosurit rusë “u dorëzuan në kohë në pikën e këmbimit të kushtëzuar, ku ata ishin të sigurt”.

Rusia akuzoi Ukrainën se e rrëzoi qëllimisht avionin transportues ushtarak Ilyushin Il-76 duke thënë se radari rus regjistroi lëshimin e dy raketave nga rajoni i Harkivit i Ukrainës, që kufizohet me Belgorodin.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase e lidhi këtë me sulmet raketore ruse në Harkiv e të tjera qytete të Ukrainës.

Me këtë në mendje, Forcat e Armatosura të Ukrainës do të vazhdojnë të marrin masa për të shkatërruar mjetet e shpërndarjes dhe të ushtrojnë kontrollin e hapësirës ajrore për të eliminuar kërcënimin terrorist, përfshirë atë në drejtimin Belgorod-Harkiv.

Një deklaratë e Inteligjencës ushtarake ukrainase tha se Kievit nuk iu kërkua të garantonte sigurinë e hapësirës ajrore rreth zonës së Belgorodit, siç ishte rasti gjatë këmbimeve të mëparshme të të burgosurve të luftës.

Akuzat e Rusisë se Kievi rrëzoi avionin e transportit mund të jenë veprim i planifikuar për të destabilizuar situatën në Ukrainë dhe për të dobësuar mbështetjen ndërkombëtare për shtetin tonë.

Rusia bëri thirrje për një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së sot, për të diskutuar rreth rrëzimit të avionit, të cilin ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e quajti akt “kriminal” nga Ukraina.