Bota

Rusia: Godasim objektivat britanike, nëse armët britanike përdoren kundër territorit rus!

Rusia do të hakmerret ndaj Britanisë së Madhe, nëse armët britanike përdoren nga Ukraina për sulme brenda territorit rus. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova theksoi se “shënjestrat britanike brenda territorit të Ukrainës e përtej kufijve të saj” mund të goditen në një skenar të tillë.

Moska vetëm sa përsëriti paralajmërimin që bëri në fillim të këtij muaji kur sekretari i Jashtëm, David Cameron, tha se Ukraina mund t’i përdorë armët britanike kundër shënjestrave në Rusi, nëse dëshiron. Rusia reagoi me zemërim ndaj deklaratave të Cameron-it dhe i përmendi si arsyeje pse ka vendosur të mbajë stërvitje në maj, për të simuluar lëshimin e raketave taktike bërthamore.

Komentet e Cameron-it e bënë Britaninë e Madhe që të mbajë një qëndrim më luftarak se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundrejt Rusisë e kjo të paktën publikisht. Në mënyrë të vazhdueshme, Amerika thekson se armët me të cilat e furnizon Ukrainën duhet të përdoren vetëm brenda kufijve të Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht dhe jo kundër objektivave brenda territorit të Rusisë.

Ukraina thotë se i përdor dronët e saj, si dhe armë të tjera për të kryer sulme kundër objektivave në Rusi si për shembull kundër rafinerive të naftës apo infrastrukturës hekurudhore.

Më 2 maj, Cameron i premtoi Ukrainës 3.74 miliardë dollarë ndihmë vjetore ushtarake, aq sa të jetë e nevojshme. Gjatë një vizite në Kiev, ai theksoi se Londra nuk është kundër që Ukraina t’i përdorë armët që i dërgon Britania për sulme brenda Rusisë.

Ne do t’i japim tre miliardë paund çdo vit, aq sa të jetë e nevojshme. Ne sapo kemi dhënë gjithçka që kemi sa i përket pajisjeve.

Cameron, i cili si kryeministër e drejtoi Britaninë e Madhe nga viti 2010 e deri në vitin 2016, u rikthye në frontin e politikës pak muaj më parë dhe u takua me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba e me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij të dytë në Kiev si sekretar i Jashtëm.

Ai e përshëndeti miratimin e paketës së shumëpritur të ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën në vlerë 60 miliardë dollarë.

Kjo është tejet e rëndësishme, jo vetëm për armët që do të sjellë, por edhe për shkak se do të rrisë moralin e popullit këtu në Ukrainë.