Bota

Rusia kryen sulm të madh me dronë dhe raketa në disa rajone ukrainase!

Mëngjesin e sotëm, zyrtarët ukrainas thanë se ushtria ruse ka goditur infrastrukturën e rëndësishme të Ukrainës në të paktën gjashtë rajone e kjo ndodhi gjatë një sulmi të madh në orët e vona të natës e deri herët në mëngjes. Rusia ka lëshuar më shumë se 20 dronë e raketa gjatë këtij sulmi, referuar zyrtarëve. Sirenat për paralajmërimin e sulmeve ajrore u dëgjuan për disa orë në këto rajone, përfshirë kryeqytetin Kiev.

Burime zyrtare raportuan për dëme dhe shkatërrim të disa ndërtesave, por deri tani nuk ka informacione për viktima apo të lënduar. Ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko, e cilësoi këtë si një tjetër sulm të madh në industrinë vendase të energjisë dhe që u krye ndaj gjashtë rajoneve.

Ai theksoi se objektiv i këtij sulmi ishte infrastruktura energjetike në rajonet Poltava, Kirovohrad, Zaporizhja, Lviv, Ivano-Frankivsk, si dhe Vinitsia. Numri një i administratës ushtarake në Poltava, Filip Pronin bëri të ditur se një zjarr u ndez si pasojë e një sulmi me dronë ndaj një objekti energjetik në këtë rajon.

Shefi i administratës ushtarake në rajonin jugor, Zaporizhja, aty ku ndodhet termocentrali bërthamor më i madh në Europë, tha se objektiv i bombardimeve ruse ishin “objektet e infrastrukturës civile dhe ato jetike”.

Në Lviv, në perëndim të Ukrainës, guvernatori bëri të ditur se Rusia kreu një sulm ndaj infrastrukturës jetike energjetike në qarkun Strihi e po ashtu kundër një termocentrali në qarkun Çervonohrad.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky vuri në dukje në Telegram se Rusia kreu sulme me të paktën 50 raketa e 20 dronë. Ai shtoi se sulmet ndodhën në Ditën e Përkujtimit e të Pajtimit, të cilën Organizata e Kombeve të Bashkuara e shpalli për nder të atyre që humbën jetën në Luftën e Dytë Botërore.

E gjitha bota duhet ta kuptojë qartazi se kush është kush, shkroi Zelensky. Agresionin rus kundër vendit të tij, kreu i shtetit ukrainas e barazoi me veprimet e Gjermanisë naziste që nxitën atë luftë. Rusia e ka sulmuar pareshtur infrastrukturën energjetike të Ukrainës që kur nisi pushtimin e plotë të shtetit fqinj, në shkurt të vitit 2022, pra më shumë se dy vjet më parë.