Aktualitet Politikë

Mes kaosit dhe tymueseve, Kuvendi miraton në parim pr.Buxhetin 2024/Opozita nuk lejoi diskutimet!

Duhej të ishte maratonë për shkak të diskutimeve dy-ditore të planifikuara, por zgjati vetëm pak minuta seanca më e rëndësishme ekonomike e vitit në Kuvend e ku sërish u shënua kaos nga opozita. Me 73 vota pro, Parlamenti miratoi në parim pr.Buxhetin e vitit të ardhshëm. Deputetët e mbledhur rreth Sali Berishës e Gazment Bardhit shkuan më herët në mjediset e selisë së Parlamentit ku para hyrjes në sallë iu nënshtruan kontrolleve të efektivëve të Gardës. Me tone të ashpra, Gazment Bardhi debatoi me ta:

S’ju vjen zor, e keni kthyer në shtet policor! Për ça i ke sjell këta? Për ça ushtroni kontroll? Kush jeni ju mo?

Pavarësisht kontrolleve, demokratët sërish ndezën tymuese ndërsa në sallë gjendej edhe kryeministri Edi Rama.  Kryeparlamentarja Lindita Nikolla iu drejtua Flamur Nokës, duke i komunikuar përjashtimin, pasi ndezi tymuesen. Më herët, deputetët grumbulluan karrige përreth foltores, por nuk u lejuan nga Garda ta zaptonin.

Sali Berisha deklaroi:

Buxheti i vjedhjes më të madhe, buxheti i gjobës ndaj shqiptarëve, i shpërdorimit, i rrugëve të cilat kushtojnë 12 milion euro kilometri, buxheti i PPP-ve. Sot në parlament janë 1 mijë e 340 gardistë dhe forca speciale. Opozita do të qëndrojë e pamposhtur në mbrojtje të të drejtave legjitime për të hetuar qeveritarët hajdutë, që me vendimet e tyre kanë vjedhur dhe do të vijojnë të vjedhin.

Në kohën e zhvillimeve kaotike në Kuvend, ish-kryeministri Berisha duhej të paraqitej në SPAK, në zbatim të masave të sigurisë “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, të vendosur ndaj tij nga GJKKO-ja, pasi akuzohet “Për korrupsion pasiv” në çështjen e privatizimit të klubit sportiv “Partizani” në Tiranë.

Sot unë jam paraqitur në Parlament, pasi kurrë nuk mund të pranoj përvetësimin që bën Rama. Eshtë urdhër i Edi Ramës i lëshuar nëpërmjet mercenarëve siç është Kraja, i cili qëndron në detyrë në shkelje të Kushtetutës. Irena Gjoka fshihet pas krimit. Ata janë shërbëtorë të mjerë që zbatojnë urdhrat e Edi Ramës.

Ky ishte afati i dytë për ish-kryeministrin, ndërsa masa e sigurisë paracaktoi detyrim për paraqitje të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Afati i kaluar ishte më 6 nëntor.

Nga ana tjetër, edhe e sotmja pati fatin e seancave të tensionuara e kaotike të dy muajve të fundit, prodhuar nga ajo çfarë opozita e quan “rezistencë ndaj mosplotësimit të tre kërkesave të saj për ngritje të komisioneve hetimore”.