Botë e Çuditshme

Sëmundja e Alzheimerit nuk “kursen” as delfinët!

Sipas një studimi, shkencëtarët skocezë kanë zbuluar se sëmundja Alzheimer prek edhe delfinët. Studiuesit nga Universitetet e Glasgow, St Andrews dhe Edinburgh, si dhe nga Instituti i Kërkimeve Moredun, të cilët botuan studimin në “European Journal of Neuroscience”, studiuan trurin e 22 delfinëve, të cilët ishin gjetur në zonat bregdetare të Skocisë.

Sipas studimit, u zbulua se delfinët kishin patologji tipike të Alzheimerit në trurin e tyre. Arsyeja se pse delfinët kanë shfaqur shenja të sëmundjes ende nuk dihet. Gjetjet mund të shpjegojnë pjesërisht pse disa delfinë dhe kafshë të tjera detare si balenat bllokohen në ujëra shumë të cekët ose në plazhe, duke ndjekur një kafshë udhëheqëse, por që mund të vuajë nga konfuzioni për shkak të Alzheimerit.

Megjithatë, shkencëtarët britanikë nuk ishin në gjendje të konfirmonin se kafshët e ngordhura me shenja të Alzheimerit në fakt, ndërsa ishin gjallë, kishin të njëjtat probleme njohëse/memorie si njerëzit që vuanin nga kjo gjendje neurodegjenerative e pashërueshme, e cila është forma më e zakonshme e demencës. Për një gjë të tillë do të duhej të studioheshin kafshë të gjalla.

Shkencëtarët e konsiderojnë tejet të rëndësishëm zbulimin e një ilaçi që besohet se ngadalëson shkatërrimin e trurit nga sëmundja e njohur si Alzheimer, forma më e shpeshtë e harresës. Quhet Lecanemab dhe sulmon proteinat e dëmshme që krijohen në trurin e një njeriu që ka Alzheimer. Por, medikamenti ka efekt të vogël dhe ndikimi i tij në përditshmërinë e njerëzve të prekur nga kjo sëmundje është duke u diskutuar. Sipas studimeve, ilaçi e ka ngadalësuar përkeqësimin e Alzheimerit për një të katërtën, përgjatë 18 muajve të trajtimit.