Bota

Senati Amerikan miraton projektligjin për ndalimin apo shitjen e TikTok-ut!

Senati Amerikan miratoi një projektligj që do ta ndalojë TikTok-un në Shtetet e Bashkuara, nëse kompania kineze ByteDance që e ka në pronësi nuk e shet brenda një viti. I shtyrë nga shqetësimet e mëdha në mesin e ligjvënësve amerikanë se Kina mund të ketë akses në të dhënat e amerikanëve apo t’i vëzhgojë ata përmes këtij aplikacioni, projektligji u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve të shtunën dhe presidenti Joe Biden, tha se sot do ta nënshkruajë për ta bërë ligj.

Për shumë vite, ne e kemi lejuar Partinë Komuniste të Kinës të ketë kontroll mbi njërin prej aplikacioneve më të njohur në Amerikë, tha republikani Marco Rubio nga Komiteti i Inteligjencës. Ligji i ri do t’i kërkojë pronarit kinez ta shesë aplikacionin. Ky është vendim i mirë për Amerikën.

Beteja 4-vjeçare për TikTok-un, i cili përdoret nga 170 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara, është vetëm një prej shumë fronteve në luftën e internetit e teknologjisë mes Uashingtonit dhe Pekinit. Javën e kaluar, Apple tha se Pekini e urdhëroi t’i largonte platformat e Meta-s, WhatsApp dhe Threads nga dyqani i aplikacioneve në Kinë, për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë kombëtare.

TikTok-u do ta sfidojë këtë projektligj përmes Amendamentit të Parë dhe përdoruesit e TikTok-ut pritet të ndërmarrin veprime ligjore gjithashtu. Një gjykatës në Montana e parandaloi ndalimin e TikTok-ut në këtë shtet, duke u bazuar në lirinë e shprehjes.

Unioni Amerikan i Lirive Civile ka thënë se ndalimi apo kërkesa për shitjen e TikTok-ut do të vendoste një precedent alarmant botëror për kontroll të gjerë qeveritar mbi platformat e rrjeteve sociale… Nëse Shtetet e Bashkuara e ndalojnë një platformë të huaj, kjo do nxisë masa të ngjashme në vendet e tjera.

TikTok-u që thotë se nuk ka ndarë dhe nuk do të ndajë të dhëna të përdoruesve amerikanë me qeverinë e Kinës, njoftoi se do t’i drejtohet gjykatës, në përpjekje për ta parandaluar këtë projektligj.

Ky është fillimi, jo fundi i një procesi të gjatë.

Më 2020-ën, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u përpoq ta ndalojë platformën e rrjetit social përmes një urdhri ekzekutiv. Ai urdhër u shfuqizua më vonë nga gjykatat, pas padisë nga TikTok-u. Administrata Trump e ndërmjetësoi një marrëveshje më 2020-ën. Sipas saj, korporatat amerikane, Oracle dhe Walmart do të siguronin aksione të mëdha në TikTok mbi baza të sigurisë kombëtare.

Por, shitja e atyre aksioneve nuk ndodhi asnjëherë për një numër arsyesh, ndër to Kina, e cila vendosi kontrolle më të rrepta të eksportit për ofruesit e vet të teknologjisë.