Sociale

Sezoni i verës, 5000 persona kanë hyrë në vend me tragete nga porti i Durrësit në 24 orë

5000 persona kanë hyrë në vend me tragete nga porti detar i Durrësit vetëm në 24 orët e fundit. Ndonëse fluksi nuk ka nisur ende, numri i atyre që udhëtojnë me tragete ka ardhur në rritje gjatë ditëve të fundit duke sjellë dhe shtim të masave të sigurisë dhe shërbimeve në terminalin e trageteve në port. Edhe në dalje ka një numër të shtuar udhëtarësh.

Ndërkohë, sipas të dhënave nga Autoriteti Portual Durrës gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti kanë udhëtuar përmes portit të Durrësit mbi 240 mijë pasagjerë, ndërsa janë transportuar në rrugë detare 507,195 tonë mallra me kamionë dhe trajlera.

Vetëm gjatë muajit qershor transporti i udhëtarëve me tragetet e linjave të Barit dhe Ankonës u rrit me 13%. Statistikat tregojnë se janë përpunuar rreth 50,000 udhëtarë dhe 18,670 automjete në hyrje-dalje.

Në raport me qershorin e vitit 2022 vihet re një shtim i numrit të automjeteve që lëvizin përmes transportit detar dhe që reflektohet dhe në trafikun e shtuar dhe vendparkimet e munguara përgjatë rrugëve të qytetit.

Statistikat tregojnë se muajin e kaluar kanë udhëtuar përmes portit të Durrësit 5,650 pasagjerë dhe rreth 10,430 automjete më shumë, në raport me qershorin e vitit të kaluar.