Bota

SHBA, Biden dhe McCarthy bëjnë përparim për të hequr tavanin e borxhit!

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se me Kevin McCarthy-n, kryerepublikanin e Kongresit bënë përparim të rëndësishëm drejt marrëveshjes për të reduktuar shpenzimet e rritur tavanin e borxhit të qeverisë, që aktualisht është 31.4 trilion dollarë.

Mosarritja e marrëveshjes për tavanin e borxhit mund të ketë pasoja të rënda për ekonominë amerikane. Sipas Departamentit të Thesarit, qeveria federale mund të përballet me mungesë fondesh për të mbuluar shpenzime të caktuara deri më 1 qershor.

Gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti demokrat u shpreh se republikanët po kërkojnë shkurtime të konsiderueshme. Ato do të bënin që marrja e Sigurimeve Shoqërore të zgjasë më shumë e të çojë në një reduktim të numrit të mësuesve, oficerëve të policisë e agjentëve të patrullës kufitare.

Unë nuk besoj se e gjithë barra duhet të bjerë mbi amerikanët e klasës së mesme dhe punëtore. Miqtë republikanë nuk janë dakord.

Nëse arrihet një marrëveshje, ajo do të përcaktojë udhëzime të përgjithshme për shpenzimet, ndërkohë që ligjvënësit t’i trajtojnë detajet specifike në javët dhe muajt e ardhshëm.

Çdo marrëveshje për të rritur kufirin duhet të kalojë të dyja dhomat e Kongresit dhe për këtë arsye varet nga mbështetja dypartiake. Republikanët e McCarthy-t kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa demokratët e Biden-it mbajnë Senatin.

Kjo mund të paraqesë një sfidë, pasi disa republikanë konservatorë e demokratë të shumtë progresivë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me idenë e arritjes së një kompromisi.

Falimentimi amerikan mund të përmbysë tregjet financiare globale dhe t’i shtyjë SHBA-të në recesion. Sipas kreut të Shefave të Shtabit të Përbashkët, Mark Milley, kjo kërcënon sigurinë kombëtare.

Unë mendoj se nuk ka asnjë dyshim se do të kishte një ndikim shumë të rëndësishëm negativ në gatishmërinë, moralin dhe aftësitë e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nëse ne do të falimentonim.

Demokratët dhe republikanët kanë afat deri më 1 qershor për të rritur kufirin e vetëhuamarrjes së qeverisë ose do të rezultojë në një falimentim të paprecedentë të borxhit. Ekonomistët paralajmërojnë se mospagimi i borxhit mund të çojë në një recesion.