Bota

SHBA/Ndihma për Ukrainën dhe Izraelin, Dhoma e Përfaqësuesve voton më 20 prill!

Më 20 prill, Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të votojë lidhur me ndihmën për Ukrainën, Izraelin e gjithashtu Indo-Paqësorin. Lajmin e dha kryetari i kësaj dhome, republikani Mike Johnson. Një komitet bëri publik ligjin që përfshin ndihmën e sigurisë në vlerë mbi 95 miliardë dollarë, përfshirë 60.84 miliardë për Ukrainën, vend që po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia më 2022-shin, mbi dy vjet më parë.

Në projektligjin për Izraelin përfshihen 26.38 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin, shumë që do të mbulojë edhe kostot e operacioneve ushtarake amerikane që u kryen në përgjigje të sulmeve të fundit. Ndërkaq, 9.1 miliardë dollarë janë për ndihmë humanitare, edhe pse zyrtarisht thuhet se “asnjë ndihmë financiare nuk do të shkojë për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).

Projektligji parasheh një ndihmë prej 8.12 miliardë dollarësh për Indo-Paqësorin. Mike Johnson tha se anëtarët e Dhomës do të kenë kohë deri mesditën e së shtunës që të rishikojnë draftin e të ofrojnë ndryshimet e tyre, para se të dërgohet për votim përfundimtar.

Do të publikohet edhe një projektligj i posaçëm për sigurinë kufitare e që plotëson kërkesat e konservatorëve.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i bëri thirrje Kongresit që të miratojë me shpejtësi projektligjin. Për Ukrainën, në një nen shkruhet se ndihma ekonomike, jo ajo ushtarake për Kievin duhet që të shlyhet. Kjo ka qenë një kërkesë e konservatorëve. Por, administrata e shefit të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden mund që ta heqë këtë kërkesë.

Udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve, po ashtu paraqitën edhe projektligjin për Sigurinë Kombëtare. Në të përfshihen disa nene që nuk kanë qenë pjesë e projektligjit të miratuar në Senatin Amerikan, përfshirë nenet ku thuhet se lejohet transferimi i aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën e për të vendosur sanksione ndaj Iranit e Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Amerika e nga Bashkimi Europian.

Ndihma për Ukrainën është kundërshtuar fuqishëm nga ligjvënësit konservatorë republikanë amerikanë. Nga ana tjetër, Ukraina vazhdimisht po bën thirrje për dhënien e ndihmës, pasi po përballet me mungesë të sistemeve të mbrojtjes ajrore e po ashtu të municioneve.