Bota

SHBA, shembet një pjesë e urës në Baltimore, 20 persona në ujë!

Një pjesë e urës Francis Scott Key në Baltimorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shemb, pasi u godit nga një anije e madhe mallrash me flamur të Singaporit, sot në mëngjes, rreth orës 01:30 apo 06:30 me tonën.

Zyrtarisht, për momentin nuk raportohet për viktima, por konfirmohet se të paktën 20 vetë përfunduan në ujë, që të gjithë punëtorë që po punonin në momentin e aksidentit të rëndë. Pas përplasjes, mjeti lundrues u përfshi nga zjarri dhe nisi të fundosej. Anija po i drejtohej Sri Lankës e bëhet e ditur se të gjithë personat në bord shpëtuan pa lëndime, përfshirë edhe dy komandantë.

Autoritetet e transportit në Maryland njoftuan:

Të gjitha korsitë e urës, nga të dyja drejtimet janë mbyllur për shkak të aksidentit.

Kryetari i bashkisë së Baltimorës, Brandon Scott, tha se ekipet e emergjencës janë në vendin e ngjarjes dhe se po vijohet me operacionet e kërkim-shpëtimit. Kevin Cartwright, drejtor për Komunikimin në Departamentin e Zjarrfikësve në Baltimore.

Përqendrimi ynë tani është të tentojmë t’i shpëtojmë këta njerëz.

Ura e Francis Scott Key-it, e hapur në vitin 1977 është pak më shumë se 1.5 milje (2632 metra) e gjatë dhe përshkon portin e Baltimorës si një pjesë integrale e Beltway. Në kohën e hapjes së saj, New York Times vuri në dukje se struktura “do t’u siguronte shoferëve që udhëtonin përgjatë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës një alternativë tërheqëse ndaj tunelit të portit të Baltimorës, të bllokuar nga trafiku.

Ura kushtonte 141 milion dollarë në atë kohë e që sot është shuma ekuivalente e 735 milion dollarëve. Tranziti përgjatë urës, mesatarisht llogarit 11 milion automjete në vit e është një nga rrugët e autorizuara për të transportuar mallra të rrezikshme përmes portit të Baltimorës e ku nuk mund të kalojnë dy tunelet e emërtuara Baltimore Harbor dhe Fort McHenry.

Harku qëndror në të cilin goditi anija e mallrave “Dali” ka një hapje prej 366 metrash dhe rezulton i treti më i gjatë në nivel global.

Në portin e Baltimorës, temperatura e ujit arrin në 9 gradë celcius referuar matjeve të National Oceanic and Atmospheric Administration. Ndërkaq, kamerat e sigurisë në zonë tregojnë se shembja në urë ndodhi në 20 sekonda.