Aktualitet Fol

Shefi i Antidrogës Rezar Velmishi pohon se janë dërguar në pranga shpërndarës drogrash që operonin në afërsi të shkollave!

Episodi i pestë i podcast-it “Fol me Anila Hoxhën” trajton problemin e shpërndarjes së drogës, alarmin që përdorimi ka zbritur tek të miturit. Problemet me ligjin, mungesën e qendrave dhe të dhëna që dalin për herë të parë. Përfshin intervista me një përdorues, një gjyqtar të lartë, shefin e antidrogës dhe shefin e toksikologjisë.

Prokuroria më e madhe në vend ajo e Tiranës pranon se për të njëjtën kohë policia e kryeqytetit i referoi dosjet për gati gjysmën e këtyre çëshjeve në rang vendi me një shifër prej 4740. Por megjithë këto të dhëna, si të akuzuar përfunduan në gjykatë 663 prej tyre u ngrit akuza e shpërndarjes. Për të tjerët hetimi u pushua apo u mos fillua, sepse prokurorët konstatuan se dozat ishin të papërfillshme dhe se poseduesi ishte përdorues, një konkluzion i bazuar në përgjigjjet e Policisë Shkencore dhe të Mjekësisë Ligjore. Shefi i antidrogës Rezar Velmishi është me ne i ftuar në këtë episod, për të na treguar se çfarë duhet bërë veç ndryshimit të ligjit për narkotikën.

Pjesë e shkëputur nga podcasti “Fol me Anila Hoxhën”:

Rezar Velmishi – Shef i antidrogës në Policinë e Shtetit 

Anila Hoxha: Si ka mundësi kaq shumë të dhëna për të arrestuar dhe për të ndaluar dhe në përfundim mjekësia ligjore, po edhe prokuroria veçanërisht,  prokuroria  i mosfillon dhe i pushon hetimet? Është ky një dështim i policisë për të goditur rrjetet e shpërndarësve të drogës dhe shpërndarësit e vërtetë?

Rezar Velmishi: Faleminderit për pyetjen. Jo unë nuk do të thoja, nuk është një dështim i Policisë të Shtetit. Policia e Shtetit për çdo shkelje të ligjit, pra çdo identifikim që lidhet me veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, nuk ka rëndësia sasia e lëndës narkotike, është e detyruar sipas ligjit që këtë vepër penale, pra së bashku me autorët të lëndëve narkotike të identifikuar së bashku me autorin apo autorët ta referojë pranë prokurorive përkatëse dhe në bashkëpunim me prokuroritë e rretheve të juridiksionit të përgjithshëm ato ndjekin në vijëmësi hetimin.

Anila Hoxha: Pse pushohen?

Rezar Velmishi: Kjo ka një sërë arsyesh juridike-penale për të cilat prokuroria mund t’i japë sqarime më të hollësishme dhe më të sakta, përsa i përket aspektit ligjor. Por, policia e ka një nga objektivat dhe nga prioritetet e saj të rëndësishme dhe vendimtare luftën kundër narkotikëve në mënyrë të veçantë . Kohët e fundit, Policia e Shtetit ka organizuar disa operacione të suksesshme si “Tempull 1” dhe “Tempull 2” duke spastruar perimetrin në mënyrë të vecantë perimetrin pranë shkollave, kjo e kthyer një nga prioritetet e policisë së shtetit, duke mbajtur shkollat dhe institucionet arsimore të pastra dhe larg drogës, larg narkotikëve.

Anila Hoxha: Pse nuk përdor policia metoda sikurse mund të jenë blerje të stimiluara, përgjimet e antidrogës, vëzhgimet?

Rezar Velmishi: Policia e Shtetit, në punën e saj të përditshme i përdor të gjitha metodat speciale të hetimit të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Është e vërtetë që shumica ose një pjesë e personave që ne referojmë pranë prokurorive gjatë hetimeve dokumentohet që lënda narkotike, që ne ua kemi gjetur në posedim rezulton të jetë për përdorim vetjak. Dhe kjo mund të jetë një nga arsyet e pyetjes së parë. Ka një rritje. Mund të them që Policia e Shtetit është shumë e fokusuar në luftën kundër narkotikëve, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Anila Hoxha: Z.Velmishi, si funksionojnë rrjetet e shpërndarjes së drogës në Shqipëri?

Rezar Velmishi: Ka një karakteristikë, zonja Hoxha. Ata që janë përdorues, kryesisht janë edhe shpërndarës.

Anila Hoxha: Rrjetet kanë drejtues, kanë furnizues? Ju thatë pak më herët që ju pastruat shpërndarësit, ata individë që merren me…?

Rezar Velmishi: Jemi duke i pastruar.

Anila Hoxha: Jeni duke pastruar ata shpërndarës që operonin kryesisht në afërsi të shkollave?

Rezar Velmishi: Si janë të organizuar grupet e shpërndarësve, siç e thashë në grupe, në minigrupe të vogla, në grupe të vogla, por nuk përjashtohen edhe ato grupet e strukturuara, por këto janë më tepër të përfshira, në drogëra të forta dhe përtej kufijve.

Anila Hoxha: Çfarë të dhënash ju sollën dy operacione “Tempulli 1” dhe “Tempulli 2”?

Rezar Velmishi: Ne kemi goditur anëtarë të grupeve kriminale, pra edhe në operacionin e parë dhe në operacionin e dytë është bërë e qartë sesa individë janë arrestuar, proceduar në gjendje të lirë, shpallur në kërkim apo goditur anëtarë të grupeve kriminale. Gjithmonë tendenca e cdo lloj aspekti, pra kriminal është rekrutimi. Rekrutimi në një moshë të herët, aty synohet. Kemi shumë të rinj të përfshirë, të identifikuar të përfshirë në aktivitete kriminale, jo vetëm tek narkotikët.

Anila Hoxha: A kemi një shifër të përafërt të numrit të përdoruesve në rang vendi?

Rezar Velmishi: Policia e Shtetit administron të dhënat, mban statistika të të arrestuarve, të ndaluarve , apo në databazat e saj të personave me precedent kriminal. Ndërsa të dhënat për përdoruesit, përgjigjja më e saktë do vinte nga Ministria e Shëndetësisë.

Anila Hoxha: Për cilën kategori droge shoqërohen më shumë apo ndalohen shtetasit shqiptarë?

Rezar Velmishi: Do të rendisja marijuanën, pra rastet më të tepërta i kemi në posedimin dhe trafikimin e marijuanës. Kjo nisur edhe nga fakti sepse kjo lloj lëndë narkotike është një lloj lënde që kultivohet në territorin tonë, sikurse është i prekur nga ky fenomen edhe i gjithë Ballkani. Në vend të dytë është kokaina.

Anila Hoxha: Po kokaina pse?

Rezar Velmishi: Sepse kokaina është një lloj droge e cila vjen e eksportuar në Shqipëri, në Europë, do të rendisja në radhë të parë pastaj dhe në Shqipëri, nga Amerika Latine.

Anila Hoxha: Dhe më pas në vend të tretë?

Rezar Velmishi: Në vend të tretë janë përdoruesit e heroinës. Por së fundmi, mund të theksoj që kemi patur edhe disa raste të identifikimit të lëndëve narkotike sintetike, por këto në disa raste gjatë sezonit të verës në zonat bregdetare dhe kryesisht kemi arrestuar shtetas të huaj. “Tempulli 1” dhe “Tempulli 2”, më lejoni të  theksoj është një nga operacionet policore më të suksesshme. Këta persona mund të kenë qenë aty. Por në të shkuarën nuk është bërë një kontroll kaq i imtësishëm dhe i detajuar.

Anila Hoxha: Pse nuk është bërë?

Rezar Velmishi: Sepse shumë gjëra vijnë me kohën, teknologjia avancon, besueshmëria në institucionin e Policisë së Shtetit është shumë i fortë. Kemi shumë informacion dhe thashë jemi të suksesshëm sepse ne kemi një partner të jashtëzakonshëm, i cili është qytetari.

Anila Hoxha: Kjo tregon që qytetarët po i japin policisë të dhënat dhe informacione ndaj shpërndarësve, ndaj çfarë ndodh në lagjen e tyre, aty poshtë pallatit, afër shtëpisë?

Rezar Velmishi: Ka një fluks të shtuar të informacioneve të ardhura nga qytetarët pasi ndoshta kanë parë që policia me informacionet që ata ndajnë vendoset në veprim, ka rezultate. E shikojnë që për ato shqetësime, ata që kanë dalë tek lagjia, tek cepi i shkollës ose tek muri i shkollës dikush bën disa veprime të dyshimta i ka parë që strukturat policore i kanë marrë në konsideratë edhe nëse nuk kanë arritur t’i dokumentojnë kanë dërguar njerëz kanë bërë verifikime. Se nuk domethënë që 100 të rasteve që ne dyshojmë apo marrim informacione rezultojnë ashtu siç raportohen. Operacionet “Tempulli 1” dhe “Tempulli 2” ishin operacionet me fokus kryesor shkollat. Pra, në mënyrë të veçantë ato parauniversitar në gjithë vendin. Numrin më të madh të arrestuarve ne e patëm në Tiranë. Nëse flasim për një perimetër në shkollë, kuptojmë një largësi përreth 50 metra nga muri i shkollës tek lokali përballë tek kioska tek piceria, tek çdo lloj objekti aty pranë apo lulishte.

Ishim me shefin e anidrogës në Shqipëri, që na tregoi se deri në këtë fazë të aksioneve janë dërguar në pranga shpërndarës drogrash që operonin në afërsi të shkollave.