Politikë

Sherr e zënka në Kuvend, Berisha “live” nga Facebook-u: Beteja jonë nuk ka të ndalur!

Në seancën plenare të Kuvendit, në ditën e sotme ka pasur përplasje dhe dhunë fizike mes deputetëve, ku deputeti i Rithemelimit Gledion Nallbati ka goditur deputetin socialist Vullnet Sina.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për dhunën, duke thënë se ishte një provokim për opozitën, teksa bën thirrje se beteja nuk ka të ndalur.

“Siç e shihni, banda Rama ka vetëm një qëllim, të mbrojë Edi Ramën nga krimet e tij të shëmtuara, nga vjedhjet monstruoze, të mbrojë familjen e tij nga pasurimi i paligjshëm, të mbrojë lidhjet e tij me drogën, me Pëllumb Gjokat, me Luftar Hysat.

Të mbrojë vjedhjet e mëdha që u bën shqiptarëve, të mbrojë dhunimin e votës. Por Edi Ramës i ka ardhur fundi.

Opozita është e vendosur që këtë betejë në parlament të mbrojë me të gjithë forcën, gjer në sakrificë sublime, të drejtat e saj kushtetuese.

Ky është parlamenti i një bande, i kriminelëve, i hajdutëve, i atyre që nuk kanë ligj e as moral, nuk kanë kushtetutë. E kanë shndërruar parlamentin në një strofull trafikantësh, hajdutësh, në një strofull të mafies së tyre shtetërore.

Dëgjoni parlamentin, ky është parlamenti i Edi Ramës i cili funksionon si repart garde, dhe nuk funksionon më si institucion i deputetëve.

Turp, turp e një mijë herë turp.

Një histori turpi, histori horrash.

Asgjë nuk do të mund të kaloni. Ta dini të qartë se beteja jonë nuk ka të ndalur. Këtu do të jemi”, tha Berisha nga foltorja mes kaosit.