Fansat e Marilyn Monroe në Los Angeles u revoltuan, pasi shtëpia në të cilën aktorja kaloi vitet e fundit të jetës së saj dhe ku u gjet e vdekur më 5 gusht 1962, rrezikoi shembjen. Këtë javë bashkia i dha pronarit lejen për të prishur rezidencën. Por së fundmi Këshilli i Qytetit të Los Anxhelosit votoi për të nisur një proces për caktimin e ish-shtëpisë së aktores Marilyn Monroe, një monument historik dhe kulturor, duke bllokuar planet për ta shkatërruar.
Mocioni për të filluar shqyrtimin e shtëpisë së stilit kolonial spanjoll në seksionin Brentwood të LA për ruajtjen historike u prezantua nga këshilltarja Traci Park dhe u miratua njëzëri në të njëjtën ditë. Në përgjigje të votave 12-0, Bordi i Komisionerëve të Ndërtimit dhe Sigurisë së qytetit hoqi menjëherë lejen e prishjes që ishte lëshuar një ditë më parë. Vetë mocioni i Këshillit Bashkiak gjithashtu ndalon ndryshime të mëdha në pronë, ndërkohë që rishikimi i statusit të saj të mundshëm si një pikë referimi është duke u zhvilluar.
E ndërtuar në vitin 1929, rezidenca qëndron në fund të një rruge të qetë pa rrugëdalje në Brentwood, një lagje luksoze. Shtëpia, e cila ka mbetur pak a shumë e pandryshuar, u shit për herë të fundit një muaj më parë, për 8.4 milionë dollarë. Përpara derës së hyrjes janë ende pllakat mbi të cilat Marilyn kishte shkruar latinisht “Cursum Perficio” (Udhëtimi im përfundon këtu).