Aktualitet Rajoni

Si do ta ndihmojnë Ballkanin 6 miliardë eurot e kushtëzuara të BE-së?

Gjashtë miliardë euro është fondi që Bashkimi Europian ka planifikuar të ndajë për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë për periudhën 2024-2027, për të përshpejtuar integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. Pak a shumë, plani thotë:

Kush i kryen reformat e planifikuara, merr fondet. Ata që nuk punojnë, mbeten prapa. Për më shumë, asnjë vend nuk do të mund ta bllokojë tjetrin në këtë proces. Madje, nëse vërehen përpjekje, ato mund të ndëshkohen.

Ndër synimet kryesore të të ashtuquajturit “Plan i Rritjes për Ballkanin Perëndimor” është që të forcohet një treg i përbashkët rajonal, i integruar gradualisht me të BE-së.

Si do të funksionojë Plani?

I prezantuar në nëntor 2023, Plani parashikon që dy miliardë euro të jenë fonde të pakthyeshme, ndërsa katër miliardët e tjerë të jepen në formën e kredive të volitshme.  Nga secili vend pritet përgatitja e një axhende reformuese, të bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së para vlerësimit dhe miratimit të saj nga Komisioni Europian. Në fushën e rendit dhe të sundimit të ligjit, reformat janë thelbësore për të përfituar mjete nga ky Plan.

Pritshmëritë janë që Parlamenti Europian t’i finalizojë të gjitha procedurat deri në prillin e sivjetshëm për të mundësuar lëshimin e fondeve sa më shpejt. Pagesat pritet të bëhen dy herë në vit në varësi prej rezultateve në përmbushjen e kritereve.

BE-ja ka thënë se në parim, fondet do të ndahen në varësi prej Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të një vendi. Por, nëse një vend nuk i kryen reformat pas 1-2 vitesh, atëherë shuma u shpërndahet vendeve të tjera.

Çfarë duhet të bëjë Kosova?

Sipas zv.kryeministrit Besnik Bislimi, Kosova pritet të përfitojë 950 milion euro, fondi më i madh i ndarë ndonjëherë nga blloku për të, në një periudhë relativisht të shkurtër. Kosova e dorëzoi më 11 janar në BE listën e reformave për administratën publike, menaxhimin e financave publike dhe vendosjen e një fokusi në axhendën e gjelbër e në dixhitalizim.

Te sektori privat, fokusi është te përmirësimi i mjedisit të të bërit biznes, përmes qasjes në financa dhe përkrahjes për ndërmarrja të vogla dhe të mesme.

Si parakusht specifik për Kosovën dhe Serbinë është që të bëjnë progres në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, duke i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën. Kosova ka kërkuar disa herë që procesi i dialogut me Serbinë, të mos ketë ndikim në rrugën e saj drejt integrimit europian.

Por, BE-ja ka thënë se nuk ka më kohë për t’i pritur vendet e rajonit që t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe i ka porositur të veprojnë shpejt në këtë drejtim.

Përfitimet nga liria e lëvizjes

Një grup i Bankës Botërore ka vlerësuar se një treg i përbashkët rajonal do të mund të rriste PBB-në e rajonit me 10%. Për BE-në, një treg i tillë është thelbësor, për dy arsye:

-zhbllokon potencialin ekonomik të rajonit
-krijon mundësi për kompanitë vendase, duke e bërë rajonin më tërheqës për investitorët europianë

Nga lëvizja e mallrave pritet të zvogëlohet koha e pritjes për tre orë, çka më pas do ta ulte koston e tarifave me 2%.  Aktualisht, ekonomia e BE-së kap vlerën e mbi 15 trilion eurove, ndërsa ekonomia e vendeve të Ballkanit përbën vetëm 0.06% të ekonomisë së Bllokut apo rreth 100 miliardë euro.

Përmendet edhe mundësia e këmbimit të shërbimeve dhe njohja e disa kualifikimeve profesionale të shtetasve të Ballkanit nga ana e BE-së. Lehtësime pritet të ketë edhe për të rinjtë që të studiojnë në Bllok, ndërsa pritet edhe heqja e tarifave për roaming për telefoninë celulare dhe internetin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor e BE-së.

Rruga drejt BE-së

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE më 2022-shin dhe tani ka vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me bllokun. Vendet tjera të Ballkanit Perëndimor e kanë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Në disa raste, përmendet që BE-ja duhet të përgatitet për t’i pranuar anëtarët e rinj deri më 2030-ën. Sipas një sondazhi nga agjenci të bllokut europian, pjesa më e madhe e banorëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se anëtarësimi në BE do të përbënte lajm të mirë./Radio Evropa e Lirë