Bota

“Situata do jetë krejtësisht ndryshe”, presidenti i Iranit kërcënon Izraelin: Nëse na sulmon sërish, nuk do mbetet asgjë nga regjimi sionist!

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi gjatë një deklarate të bërë ditën e sotme ka kërcënuar Izraelin se do t’i japë fund nëse tenton sërish të kryejë sulm në territorin iranian.

Duke iu drejtuar studentëve dhe mësuesve në Universitetin e Kolegjit Qeveritar në qytetin pakistanez të Lahores, Raisi tha se Irani “dënoi” Izraelin për sulmin e tij ndaj Konsullatës iraniane në Siri, duke iu referuar sulmit me dron dhe raketa të 14 prillit në Izrael.

Shtatë këshilltarë iranianë, mes tyre 2 komandatë të rangut të lartë u vranë gjatë sulmit izraelit në konsullatë. Ndërsa të premten e kaluar, Izraeli kreu një sulm me dron në një bazë ushtarake në qytetin qendror iranian të Isfahanit, të cilin autoritetet iraniane pretenduan se e kishin bllokuar.

 “Nëse Izraeli do të kryejë sërish aksione ushtarake ndaj Iranit, situata do të jetë krejtësisht ndryshe. Nuk do të mbetet asgjë nga regjimi sionisht”- mësohet të jetë shprehur Raisi.

Më tej ai tha se Irani dhe Pakistani kanë një pikëpamje të përbashkët për mbrojtjen e popullit të Palestinës, duke u shprehur se Teherani do të vazhdojë t’i mbrojë me krenari.

Ndërsa hodhi akuza edhe për SHBA-të duke i akuzuar për hipokrizi kur bëhet fjalë për “fjalë e lirë”. Kjo sepse sipas tij, studentët përjashtohen nga universitetet kur flasin në favor të Palestinës.