Art & Kulturë Film & Tv

“Society of the Snow” një histori e vërtetë mbijetese (dhe kanibalizmi) e kthyer në një film fantastik që do i qëndrojë kohës. Kritikë.

Është e jashtëzakonshme kur e mendon se çfarë është në gjëndje të bëjë njeriu për të mbijetuar. Çdo gjë, edhe atë më të pamendueshmen. Më 1972, Nando Parrado ishte duke udhëtuar me miqtë dhe familjen kur, për shkak të motit të keq [akoma nuk dihen qartë arsyet] avioni i tyre do të humbte nëpër vargmalet e Andéve. Ajo që Parrado kujton mbas turbulencave të forta, është errësira ndjekur nga mendimi se kishte vdekur, por si mund të ketë etje një njeri i vdekur. si mund të ketë ftohtë, marrëzisht ftohtë.

Ky është momenti kur ai hap sytë dhe shikon katrahurën përreth. Sytë e turbullt mundohen të marrin sa më shumë informacion ndërkohë që goja bërtet për të ditur nëse të tjerët ishin mirë, ishin gjallë?… Më shumë kalonin sekondat, më shumë qartësohej për atë që kishte ndodhur, avionin e shkatërruar në çikërrima a thua ishte prej letre, trupa të gjymtuar të mbuluar me gjak, trupa që nuk frymonin më, apo ata që nuk i kuptoje a ishin gjallë apo vdekur. Më shumë kalonin minutat dhe më shumë kuptonte se nuk ishte i vetmi mes atyre që frymonin ende. Sidoqoftë, nëna e tij nuk jetonte më, po ashtu edhe shoku i tij më i ngushtë. Ajo që bëri më pas ishte të shtrëngonte fort të motrën, tashmë këmbë zbathur, këmbë që ishin ngjyrosur me një ngjyrë blu të errët nga temperaturat disa dhjetra gradë nën zero e një ere që frynte a thua se donte të merrte me vete çikërrimat e fundit të ngelura nga ai avion i mallkuar.

Këto janë kujtimet e para të Parrados nga një prej aksidenteve ajrore më famëkeqe në historinë e aviacionit civil. Më vonë ai kujton që nuk lëvizi as të nesërmen e aksidentit nga vendi, duke shtrënguar [edhe më fort] të motrën dhe duke ngrënë dëborë, si evetmja mënyrë për t’u hidratuar.

Kur dola nga kabina e ngelur e avionit mes trupash, valixhesh dhe sendesh që nuk kuptoheshin fort mirë çfarë ishin, kuptova se ku gjendeshim, mes maleve, mes asgjësë. Nuk do na gjejnë kurrë këtu! – thoja me vete – si trapin do dalim nga kjo gjë  – tregon Parrado në një intervistë me Chris Godfrey për ‘The Guardian’.

Dhe kishte të drejtë, asnjë prej skuadrave të shpëtimit nuk do ti gjente të mbijetuarit e aksidentit të rëndë. Ditë më vonë, shumë ditë, 72 prej tyre, në  kushtet më të vështira të mendueshme, ai dhe 15 pasagjerët e mbijetuar u shpëtuan gjallë, në një ngjarje që nga shtypi i kohës u konsiderua si mrekulli. Në Uruguai u pritën si heronj, diçka që nuk arritën ta kuptonin kurrë.

74 vjeçari Parrado, rrëfen se ishte lidhja e ngushtë që djemtë kishin me njëri tjetrin, besimi i patundur tek njëri tjetri që i bëri ata t’i mbijetonin tragjedisë. Për 26 vjet me rradhë ai nuk foli kurrë për të gjithë përjetimin, sidoqoftë është mbreslënëse se si 50 vite më vonë kujdesi i tij ndaj fakteve është kaq pragmantist.

Pas tregimit të parë në celuloid të historisë së Parrados dhe të tjerëve tek “Alive” (1993), “Society Of The Snow” është e para herë që të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave kanë lejuar një film të përdorë emrat e  tyre të vërtetë. Parrado e ka parë filmin disa herë deri tani dhe mendon se është një punë madhështore.

I thashë regjisorit që pasi njerëzit të shohin filmin, do e kuptojnë se çfarë na është dashur të kalojmë në esencë. Filmi arrin të kapë dhe të rikrijojë të gjitha ndjesitë, edhe ato që nuk i shpjegonim dot para gjysmë shekulli…

Në tetor të 1972, Parrado ishte vetëm 22 vjeç, student dhe lojtar Rugby, me skuadrën e shkollës, me të cilën kishte udhëtuar edhe një herë më parë në Kili. Ndaj kur mundësia për një ndeshje tjetër erdhi, ai dhe shokët e tij, po aq sa familjarët e tyre mezi prisnin. Kapiteni i skuadrës Marcelo Perez, kishte marrë një avion me qera, i cili për shkak të motit të keq qëndroi fillimisht në Mendoza të Argjentinës. Ligjet të kohës nuk e lejonin që një avion i Uruguait të mund të qëndronte më gjatë se 24 orë në tokë argjentinase, për pasojë, avioni u ngrit sërish në qiell mbas orës 2 pasdite, një Fairchild FH-227D, me motorrë të vegjël për të përballuar numrin e lartë të pasagjerëve dhe bagazheve në të. Fluturimi i cili nuk duhet të kishte zgjatur më shumë se 90 minuta, në më pak se një ore u ndërpre për shkak të motit të keq mbi Andé (majat e të cilëve shkojnë deri në 6.960m nga 6.858m që ishte maksimumi i lartësisë që mund të arrinte mjeti flutures në kushte ideale), por me shumë gjasa edhe të një gabimi të pilotit i cili në vend të shmangte majat e vargmalet e ngrira, ju afrua shumë tyre.

Nga 45 personat në bord, 33 mbijetuan, natën e parë duke u ngrohur nga trupat e njëri tjetrit. Thuajse çdo ditë që kalonte do të merrte me vete një tjetër deri kur do të vinte momenti i mrekullueshëm i pabesueshëm i shpëtimit.

Regjisori spanjoll JA Baybona ka bërë një punë hollivudiane jashtë hollivudit. Filmi bazohet në librin me të njëjtin titull të gazetarit nga Uruguai – Pablo Vierci. Një film i vështirë për t’u realizuar për shkak të një historie të vështirë për t’u treguar. 33 njerëz në mes të maleve, pa ushqim, pa ujë, të cilët përfundojnë të hanë kufomat e miqve dhe familjarëve të tyre për të mbijetuar, busulla morale këtu çorientohet përtej. Përvoja e Baybona si regjisor i filmave të frikshëm (“The Orphanage”) dhe historive të mbijetesës (“The Impossible”), e bën atë të duhurin për t’ia dalë me sukses.

Regjisori që prej fillimit zgjedh të tregojë anën e disa djemve plot plane, të ardhme të ndritur, që zihen peng nga acari i majave të larta, dhe luftojnë për t’u kthyer tek njerzit e tyre të dashur. Ai është shumë i kujdesshëm me skenat dhe dialogjet e momentit kur disa prej atyre që nuk ishin gati të dorëzoheshin vendosin të hanë mishin e ngrirë të familjarëve apo miqve të pajetë të aksidentit, duke shtruar një linjë të ngjashme me atë të atyre që vendosin të dhurojnë organet e tyre pas vdekjes, duke na lënë me një pyetjen:

Çfarë do të ishe në gjëndje të bëje për të mbijetuar, për t’u kthyer në shtëpi?!

Përgjigja e kontestualizuar nuk është aq e vështirë për t’u dhënë. Po aq sa kursen grotesken e prerjes së mishit të kufomave, Baybona është i pakursyer në tregimin e lëngatës e atyre që janë njëkohësisht viktima dhe heronj të situatës. Pasioni dhe zemra e tij ndjehet në çdo fotografi, duke e kthyer “The Society of the Snow” në një film të jashtëzakonshëm, një histori të dashurisë për jetën, më shumë sesa histori sensacionale të kanibalizmit.

Padyshim një nga më të mirët e 2023.