Aktualitet South Outdoor Festival - News

Festivali “South Outdoor” këtë vit në Borsh

I kthyer tashmë në traditë, festivali “South Outdoor” këtë vit do të zhvendoset në një nga fshatrat më piktoreskë të rivierës shqiptare, në Borsh. Festivali fton në datat 26-29 prill pjesëmarrës nga vendi dhe më gjerë për të përjetuar 4 ditë të mbushura me aktivitete sportive e kulturore, muzikë, traditë, natyrë dhe kuzhinë tipike shqiptare. Festivali është nismë e GIZ përmes programit “Zhvillimi i Qëndrueshëm i Zonave Rurale”. Mbrëmjet do të vijojnë me një maratonë me performancë muzikore “live”. Artistët pjesëmarrës janë grupi legjendar “Elita 5”, Alban Nimani, “All in Band”, Venera Lumani dhe Lindi Islami si dhe Urban Band.

Anke Petersen, drejtuesja e programit, shprehet se: “Ky festival nuk ka të bëjë vetëm me natyrën. Është edhe për sport, kulinari, muzikë, kulturë. Pse është i rëndësishëm dhe pse ne zgjedhim gjithmonë muajin prill është për një sërë arsyesh. E para është sepse duam të hapim sezonin më herët. Duam gjithashtu të ndyshojmë steriotipin që jugu është vetëm për plazhet. Është për plazhet, por është gjithashtu edhe për malet, dhe për të githa atraksionet turistike që ofrohen aty gjithashtu”.

Ndërsa Dhurata Gazulli, koordinatore e projektit, deklaron se: “Vërtet Festivali ndodh në Borsh dhe Borshi do të jetë epiqendra e festivalit, por këtë vit kemi stacionime të ndryshme në pika të ndryshme. Sikurse vit për vit aktivitetet sportive shpërndahen në fshatra të tjerë të këtij rajoni, të këtij destinacioni ku turet e gjithë safarit shkojnë deri në Nivicë. Turet e bicikletave shkojnë në Corraj, por gjithashtu edhe turet hiking që shkojnë në fshatra të tjera. Idea është që jo vetëm promovojmë Borshin me anë të këtij festivali, por edhe fshatra të tjera të këtij rajoni”.