Bota

Spanja u ndalon ankorimin anijeve që transportojnë armë për Izraelin, ministri: Nuk duam të kontribuojmë në luftë!

Spanja ka vendosur të ndalojë anijet që transportojnë armë për Izraelin të ankorohen në portet e saj. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm Jose Manuel Albares, një ditë pasi vendi i mohoi një anijeje lejen për të hyrë në një port juglindor të Kartagjenës.

Albares bëri me dije se Spanja e ka marrë këtë vendim pasi vendi nuk dëshiron të kontribuojë në luftë. Ai vuri në dukje faktin se ky refuzim për ankorimin e anijeve izraelite, është në përputhje me vendimin e qeverisë për pezullimin e licencave të eksportit të armëve në Izrael.

Lufta në Rripin e Gazës nisi në tetor të vitit të kaluar pasi Izraeli iu kundërpërgjigj një akti terrorist të Hamasit më 7 tetor.

Ndërkaq, Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka ashpërsuar gjuhën ndaj kryeministrit Izraelit, Benjamin Netanyahut.

Ai është shprehur se Netanyahu është i destinuar të vdesë në burg si Ratko Mlladiç, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin e Srebrenicës.

“Herët a vonë kasapi i Gazës, Netanyahu dhe ata që marrin pjesë në gjenocidin në Gaza do të presin të njëjtin fund”, tha Erdogan, gjatë një fjalimi në grupin e tij parlamentar, pasi citoi ata që janë përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës që “presin të vdesin në burg”.

Sipas presidentit turk, nëse Izraeli nuk ndalet, do të synojë Turqinë me iluzionin se është një tokë e premtuar.

“Mos mendoni se Izraeli do të ndalet në Gaza, nëse ky shtet terrorist nuk ndalet, herët a vonë do t’i vërë sytë Anadollit me iluzionin se është një tokë e premtuar”, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

“Ne do të vazhdojmë të jemi në anën e Hamasit që lufton për pavarësinë e territorit të tij dhe mbron Anadollin”, shtoi Erdogan gjatë fjalimit në grupin parlamentar të partisë së tij, pasi përsëriti se nuk e konsideron grupin palestinez një organizatë terroriste”,- është shprehur ai.