Aktualitet Sociale

Studimi i analizave të ujërave të zeza në Europë: Përdorimi i kokainës po rritet!

Zbulimi përmes analizave i përdorimit të kokainës në ujërat e zeza të 49 qyteteve evropiane është në rritje, duke konfirmuar një trend që ka nisur që nga viti 2016. Kështu del nga studimi i grupit “Score”, në bashkëpunim me Agjencinë Evropiane të Drogës.

Projekti analizoi ujërat e zeza në 88 qytete evropiane në 24 vende (23 BE + Turqi), me kampione ditore në zonat ujëmbledhëse të impianteve të trajtimit të ujërave të zeza për një periudhë prej një jave, midis marsit dhe majit 2023. Mostrat kanë të bëjnë me 55.6 milionë njerëz.

Analizat kërkuan gjurmë të pesë drogave stimuluese (kokainë, amfetamina, metamfetamina, mdma/ekstazi dhe ketaminë), kanabis dhe, pothuajse në të gjitha qytetet e analizuara, u gjetën gjashtë lloje lëndësh narkotike.

Më pas, shfaqet një rritje e re në zbulimet MDMA-së. Për amfetaminën dhe kanabisin vërehen modele divergjente, ndërsa për metamfetaminën në mbi gjysmën e qyteteve në fjalë, raportohet një rënie e zbulimeve.

Në detaje, mbetjet në ujërat e zeza mbeten më të larta në përdorimin e kokainës në qytetet e Evropës Perëndimore dhe Jugore (veçanërisht në Belgjikë, Holandë dhe Spanjë), por gjurmë janë gjetur edhe në shumicën e qyteteve të Evropës Lindore.

Nga 72 qytete që kishin të dhëna për vitin 2022 dhe 2023, 49 qytete raportuan rritje, ndërsa 13 qytete nuk raportuan ndryshim dhe 10 qytete raportuan rënie.

Metamfetaminat janë tradicionalisht të pranishme në Republikën Çeke dhe Sllovaki, por tani janë zbuluar edhe në Belgjikë, Gjermaninë Lindore, Spanjë, Qipro, Holandë, Turqi dhe në disa vende të Evropës Veriore.

Nga 67 qytete me të dhëna për vitin 2022 dhe 2023, më shumë se gjysma (39) raportuan ulje të mbetjeve, 15 rritje dhe 13 situatë të qëndrueshme. Në vende të tjera, ngarkesat janë shumë të ulëta deri në të papërfillshme.

Për amfetaminat, ngarkesat më të larta raportohen në qytetet në Evropën veriore dhe lindore (Belgjikë, Gjermani, Holandë, Finlandë dhe Suedi).

Nivele shumë më të ulëta u gjetën në qytetet jugore, megjithëse të dhënat më të fundit tregojnë një rritje të lehtë në Spanjë dhe Qipro.

Nga 65 qytete me të dhëna për mbetjet e amfetaminës për vitin 2022 dhe 2023, 26 raportuan rritje, 26 ulje dhe 13 situatë të qëndrueshme.

Për MDMA, nga 69 qytete me të dhëna për 2022-2023, 42 raportuan një rritje të zbulimeve, 16 një rënie dhe 11 një situatë të qëndrueshme. Ngarkesat masive më të larta, u zbuluan në qytetet në Belgjikë, Gjermani, Spanjë, Francë dhe Holandë.

Për ketaminën, në të cilën nivelet e mbetura janë mjaft të ulëta, nga 22 qytete me të dhënat e 2022-2023, 12 raportuan një rritje, 8 një situatë të qëndrueshme dhe 2 një rënie.

Sa i takon kanabisit, ngarkesat më të larta të metabolitit THC-COOH u gjetën në qytete në Evropën Perëndimore dhe Jugore, veçanërisht në Republikën Çeke, Spanjë, Holandë dhe Slloveni. Së fundmi, njëzet qytete nga 51 raportuan një rritje krahasuar me vitin 2022 dhe 15 një rënie.