Bota Health & Beauty

Studimi i ri: “COVID-i i gjatë” mund të shkaktojë anomali në organet kryesore!

Personat që kanë vuajtur më gjatë nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi kanë më shumë gjasa që të përjetojnë dëmtim të organeve, siç tregon një studim i ri. Të dhënat mjekësore kanë treguar se kësaj kategorie të pacientëve u rriten mundësitë me tre herë më shumë që të përballen me anomali në mushkëri, tru e në veshka. Studiuesit besojnë se ekziston një lidhje me periudhën e gjatë të sëmurjes.

Ka shpresa që ky studim i publikuar në revistën shkencore Lancet, të ndihmojë në krijimin e trajtimeve më efektive për atë që njihet si “COVID-i i gjatë”.

Për qëllime të studimit janë analizuar 259 pacientë, të cilët ishin sëmurë me koronavirus dhe më pas u shtruan në spital. Pesë muaj pas daljes nga spitali, të dhënat kanë treguar se në organet kryesore të tyre janë vërejtur dallime të dukshme në krahasim me një grup prej 52 personash që nuk janë infektuar asnjëherë me koronavirus.

Dallimi më i madh është parë në mushkëri, ku të dhënat kanë treguar 14 herë më shumë mundësi për anomali. Profesoresha Betty Raman nga Universiteti i Oksfordit, njëherazi një prej autoreve të studimit ka thënë se është qartë që pacientët me simptoma të “COVID-it të gjatë”, kanë më shumë mundësi të përjetojnë dëmtim të organeve.

Mosha e pacientit, shkalla e sëmurjes me COVID, si dhe fakti nëse kanë pasur ndonjë sëmundje tjetër kanë qenë faktorë me rëndësi për identifikuar dëmtim të këtyre organeve të rëndësishme të trupit.

Për koronavirusin e ri u raportua për herë të parë në dhjetor të vitit 2019, në Vuhan të Kinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020. Më shumë se 6.9 milion njerëz kanë gjetur vdekjen që prej shpërthimit të pandemisë në të gjithë botën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të ndjekura nga India e Brazili.