Bota

Sulm me raketa në lindje të Sirisë e arrestime militantësh/Shteti Islamik ende aktiv!

Një sulm me raketa militantësh në lindje të Sirisë që kishte shënjestër një autobus me punonjës të industrisë së naftës, vrau të paktën dhjetë persona. Në veri, forcat siriane të udhëhequra nga kurdët njoftuan se arrestuan 52 militantë në një operacion kundër celulave të grupit militant Shteti Islamik.

Sipas ministrisë së naftës të Sirisë, raketa goditi në fushën e gazit Al-Taym në provincën lindore Deir el-Zour. Ende askush nuk ka marrë përgjegjësi të menjëhershme, por Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani, një grup monitorues i luftës opozitare, tha se IS-i qëndroi pas sulmit. Observatori raportoi edhe për një numër më të madh të viktimave nga sulmi me raketa, dymbëdhjetë.

Ndërkohë sot, Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga SHBA-të e të udhëhequra nga kurdët bënë të ditur se me ndërhyrjet e tyre kanë penguar një sulm të planifikuar për natën e Vitit të Ri. “Militantët e IS-it ishin fshehur në zona të banuara dhe ferma”, thuhet në një deklaratë.

Fushata shumëvjeçare e mbështetur nga SHBA-të ka arritur të shtypte kontrollin territorial të militantëve në Irak e Siri, por luftëtarët e IS-it mbajnë celula të fjetura dhe kanë organizuar sulme që kanë vrarë shumë irakianë e sirianë në muajt e fundit. Që nga viti 2011, Siria është zhytur në një luftë të përgjakshme civile që ka tërhequr fuqitë rajonale e globale.

Presidenti sirian, Bashar Assad kryesisht ka rimarrë kontrollin e vendit, por pjesë të veriut të tij mbeten nën kontrollin e rebelëve, si dhe të forcave turke e kurde siriane. Gjithashtu, rreth 900 trupa amerikane në Siri mbështesin luftën e forcave të udhëhequra nga kurdët kundër IS-it dhe kanë shënjestruar shpesh militantët, kryesisht në pjesë të Sirisë verilindore nën kontrollin kurd.

Dy ditë më parë, Komanda Qendrore e SHBA-ve raportoi se ka kryer rreth 313 operacione kundër IS-it në vitin 2022 në Siri e Irak, kryesisht në bashkëpunim me forcat e udhëhequra nga kurdët.