Bota

Sulmet ruse, Ukraina raporton viktima!

Të paktën tre persona janë vrarë nga sulmet me dronë dhe raketa ruse në lindje të Ukrainës në 24 orët e fundit. Por, trupat ukrainase thonë se kanë zmbrapsur një ofensivë ruse në Zaporizhja, duke “shkatërruar 18 autoblinda dhe detyruar forcat ruse të tërhiqen në pozicionet e tyre”.

Në 24 orët e fundit, ushtria ruse kreu 13 sulme me dronë, 104 ajrore dhe 169 me sisteme raketore, duke shënjestruar pozicione të trupave ukrainase, si edhe zonat e banuara.

Sulmet ruse kanë shkaktuar dëme të mëdha si në godinat private, ashtu edhe në ato industriale. Një shkollë u shkatërrua në qytetin e Sllovjanskut dhe vullnetarët po kërkojnë për viktima të mundshme e persona të bllokuar nën rrënoja.

Rusia ende nuk i ka komentuar këto pretendime të Ukrainës. Ndërkaq, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba diskutoi me homologun kinez për mundësitë e paqes në luftën gati dy-vjeçare mes Kievit dhe Rusisë. Ky diskutim është pjesë e përpjekjes së Ukrainës për të forcuar raportet me Pekinin.

U takova me homologun kinez, Wang Yi, për të folur mbi raportet dypalëshe, tregtinë dhe nevojën për të rivendosur një paqe të drejtë e të qëndrueshme në Ukrainë.

Biseda u zhvillua gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Diskutova për planet e Ukrainës që të mbajë një samit botëror për paqe, samit për të cilin Zvicra zotohet të ndihmojë me organizimin. Me homologun kinez ramë dakord për nevojën e mbajtjes së kontakteve Ukrainë-Kinë në të gjitha nivelet dhe vazhdimin e dialogut tonë.

Ministria e Jashtme kineze nuk publikoi detaje të bisedës Wang-Kuleba. Por, gjatë një fjalimi në Mynih, Wang tha:

Kina ka këmbëngulur në promovimin e bisedimeve të paqes dhe po luan rol pozitiv në rivendosjen e paqes.

Kievi kërkon të forcojë raportet me Pekinin e të marrë mbështetjen e Kinës për planin 10-pikësh të Ukrainës për paqe që përqendrohet në tërheqjen e trupave ruse nga territoret e pushtuara, rivendosjen e kufijve të vitit 1991 pas rënies së Bashkimit Sovjetik, si dhe të krijohet një kornizë që do të mbante përgjegjëse Moskën për veprimet e saj.

Kina që shprehet se ka “partneritet strategjik” me Rusinë, vitin e kaluar paraqiti një plan të vetin për paqen e që bënte thirrje për armëpushim, negociata dhe dhënien fund të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës. Por, plani i Pekinit ka marrë pak përkrahje.