Bota

Sulmi ndaj Kongresit Amerikan, Donald Trump nuk do thirret të dëshmojë!

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e dhunshëm të 6 janarit 2021 ndaj Kongresit Amerikan, hoqi dorë nga fletëthirrja drejtuar ish-presidentit Donald Trump për të dëshmuar. Ky hap vjen ndërsa komisioni ka përfunduar punën e përgatitet të shpërndahet javën e ardhshme.

Në cilësinë e kryetarit të komisionit, ligjvënësi demokrat Bennie Thompson njoftoi vendimin në një letër dërguar avokatit të Trump-it.
Siç mund ta dini, Komisioni përfundoi seancat dëgjimore, publikoi raportin përfundimtar dhe shumë shpejt, puna e tij po shkon drejt fundit. Ndaj Komisioni nuk mund të ndjekë informacionin specifik që do të sigurohej nëpërmjet kësaj fletëthirrjeje.

Gjatë seancës së fundit para zgjedhjeve për Kongresin, në tetor, Komisioni votoi për thirrjen e Trump-it për të dëshmuar. Gjithashtu, ligjvënësit kërkuan dokumente nga ish-presidenti, ndërsa hetuan rolin e tij në sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021, si dhe përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Ligjvënësit pranuan se sigurimi i dëshmisë do të ishte diçka e vështirë për t’u arritur, kjo nisur dhe nga fakti që në janar, kontrolli i Dhomës së Përfaqësuesve do të kalonte në duart e republikanëve. Por, vendimi i komisionit dukej se kishte më shumë një vlerë politike dhe simbolike.
Në muajin nëntor, Trump paditi komisionin duke e refuzuar dëshminë. Ai shprehej se në të kaluarën, ish-presidentët kanë pranuar vullnetarisht të japin dëshmi ose dokumente, në përgjigje të thirrjeve të Kongresit, por “asnjë president apo ish-president, nuk është detyruar ndonjëherë ta bëjë një gjë të tillë”.

Ligjvënësit i kërkuan t’u vinte në dispozicion komunikimet personale të tij me anëtarë të Kongresit, si dhe përfaqësues të grupeve ekstremiste. Avokatët e Trump-it thanë se ajo ishte një kërkesë e gjerë dhe e cilësuan “shkelje”, bazuar në amendamentit e parë të Kushtetutës.

Pavarësisht se komisioni nuk siguroi dot dëshminë e ish-presidentit, ai intervistoi më shumë se 1000 dëshmitarë, si dhe shumicën e ndihmësve e aleatëve më të afërt të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë. Shumë dëshmitarë dhanë detaje thelbësore në lidhje me përpjekjet e tij për të ndikuar zyrtarë federalë e shtetërorë, si dhe ligjvënës, në përpjekjet për të përmbysur rezultatin. Ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë, që ishin me Trump-in më 6 janar, dëshmuan para komisionit mbi rezistencën që bëri ish-presidenti për t’i kërkuar turmës së dhunshme të mbështetësve, të largoheshin nga Kapitoli.

Në raportin përfundimtar të lëshuar javën e kaluar, komisioni doli në përfundimin se “Trump u angazhua në një komplot shumëplanësh për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe se nuk veproi ndaj dhunës”. Komisioni rekomandoi që Departamenti i Drejtësisë të hetojë ish-presidentin për katër krime të veçanta, veprën penale për mbështetjen e një rebelimi.