Aktualitet

Sulmi terrorist ndaj Top Channel, ministri Balla: Hetimet në fazë intensive!

Një vit nga sulmi terrorist me armë zjarri kundër godinës së televizionit Top Channel që i mori jetën rojes së sigurisë Pal Kola, ministri i Brendshëm tha se po punohet për dokumentimin me prova të personave të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale e zbulimin e mekanizmit që ka porositur dhe ekzekutuar. Taulant Balla deklaroi për gazetarët se javët e fundit, hetimet kanë hyrë në fazë intensive.

Sulmi kundër Top Channel ka qenë e mbetet një akt i rëndë, për të cilin prej momentit të parë, Policia e Shtetit ka zhvilluar hetime. Ajo që mund të ndaj me ju, brenda ruajtjes së sekretit hetimor është se gjatë javëve të fundit, hetimet kanë hyrë në një fazë intensive.

Ajo që Policia e Shtetit, në bashkëveprim me prokurorinë, po bën në këtë moment është dokumentimi me prova i personave të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale dhe zbulimi i mekanizmit që ka porositur dhe ekzekutuar këtë ngjarje të rëndë.

Krismat e sulmit brutal u dëgjuan live gjatë transmetimit të edicionit të dytë të Big Brother VIP. Shenjat e plumbave në kangjellat e në muret e zyrave në godinën qendrore të Top Channel në Mëzez, mbetën si prova të sulmit terrorist ndaj institucionit më të rëndësishëm të fjalës së lirë në vend e që shënjestroi dhe vetë lirinë.

Nga Policia e Tiranës vazhdojnë hetimet që ka një vlerësim të posaçëm për ngjarjen tronditëse. Eshtë ngritur një grup i posaçëm hetimor, me oficerë të dedikuar dhe kryesuesin e Akuzës së kryeqytetit. Policia disponon informacione për persona konkretë të përfshirë e po vijon puna me metoda speciale hetimi. Po ashtu, kjo ngjarje po hetohet edhe në raport me të tjera ngjarje kriminale e që nuk kanë ndodhur vetëm në Tiranë.

Burime për gazetaren e Top Channel, Dorjana Bezat thonë se po hetohen tabulate telefonike që i kanë hapur një perspektivë të re hetimit.

Eshtë analizuar makina me të gjithë elementët e parametrat teknikë. Kjo analizë i ka shërbyer hetimit. Ndërkohë, një provë e rëndësishme është një mbetje biologjike në një gëzhojë ku është përftuar edhe një ADN, por ende nuk është identifikuar se kujt i përket.  I jemi drejtuar databazave të Interpolit e policive të vendeve fqinje, por ende nuk është gjetur.