Aktualitet

1 vit nga sulmi terrorist ndaj Top Channel/Policia informacione për autorët, por ende nuk dihen porositësit!

Sot u mbush një vit nga sulmi terrorist ndaj Top Channel-it, me pasojë vdekjen e punonjësit të sigurisë, Pal Kola. Krismat e sulmit brutal u dëgjuan live nga shtëpia, gjatë transmetimit të edicionit të dytë të Big Brother VIP. Shenjat e plumbave në kangjellat e në muret e zyrave në godinën qendrore të Top Channel në Mëzez, mbetën si prova të sulmit terrorist ndaj institucionit më të rëndësishëm të fjalës së lirë në vend e që shënjestroi dhe vetë lirinë.

Nga Policia e Tiranës vazhdojnë hetimet që ka një vlerësim të posaçëm për ngjarjen tronditëse. Eshtë ngritur një grup i posaçëm hetimor, me oficerë të dedikuar dhe kryesuesin e Akuzës së kryeqytetit. Policia disponon informacione për persona konkretë të përfshirë e po vijon puna me metoda speciale hetimi. Po ashtu, kjo ngjarje po hetohet edhe në raport me të tjera ngjarje kriminale e që nuk kanë ndodhur vetëm në Tiranë.

Burime për gazetaren e Top Channel, Dorjana Bezat thonë se po hetohen tabulate telefonike që i kanë hapur një perspektivë të re hetimit.

Eshtë analizuar makina me të gjithë elementët e parametrat teknikë. Kjo analizë i ka shërbyer hetimit. Ndërkohë, një provë e rëndësishme është një mbetje biologjike në një gëzhojë ku është përftuar edhe një ADN, por ende nuk është identifikuar se kujt i përket.  I jemi drejtuar databazave të Interpolit e policive të vendeve fqinje, por ende nuk është gjetur.

1-vjetori i sulmit terrorist u bë pjesë e spektaklit Big Brother VIP Albania. Mbrëmjen e djeshme, mesazhin e dha prezantuesi Ledion Liço:

Një vit më parë, 40 minuta pas mesnate, 25 plumba do të qëllonin mbi studiot e Top Channel, aty ku jemi sonte. Plumba, të cilët do të merrnin jetën e rojes së godinës ballore, Pal Kolës dhe do të trondisnin stafin e Big Brother, që ishin të vetmit në atë orë të vonë në punë.  Një ngjarje e cila fatkeqësisht, edhe pse shumë e rëndë, ende është e pazbardhur. Një goditje ndaj fjalës së lirë, televizionit të të gjithë shqiptarëve që informon, argëton dhe kulturon audiencat në çdo cep të globit.

Një duartrokitje shkoi për njerëzit që janë pas kamerave, për stafin e Big Brother VIP e për të gjithë stafin e Top Channel, për të cilët Ledion Liço u shpreh se me një besim të patroshitur në misionin e Top Channel, “vazhduan e vazhdojnë të sjellin programet që njerëzit i duan kaq shumë, i  lëvdojnë dhe komentojnë”.

Uroj vërtetë që ngjarje të tilla të mos kemi më në këtë vend dhe natyrisht, uroj që familjarët e Pal Kolës të ndjejnë dashurinë që ne dhuruam nga studio dhe që iu jemi gjithmonë pranë. Një viktimë e cila ishte krejt rastësore e një sulmi krejt të pakuptimtë, që siç iu thashë, ende nuk është zbardhur.