Aktualitet Sport

Superliga fiton 25 pozicione, IFFHS sjell shifrat, 2023 viti më i mirë në histori! (FOTO)

2023 ishte pa diskutim viti më i suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar, kjo për vetë faktin se kuqezinjtë u kualifikuan për herë të dytë në një Evropian, këtë e bënë me lojë bindëse dhe me shifra të padëgjuara më parë.

Ekipi përfaqësues është në një tjetër nivel, por në shifra edhe futbolli vendas pësoi një rritje të ndjeshme këtë vit, këtë duke iu referuar statistikave të publikuara nga Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave në Futboll.

IFFHS ka publikuar renditjen me kampionatet më të forta të vitit 2023 ku përfshihen të gjitha ligat e Botës. Kampionati Shqiptar i futbollit “Abissnet Superiore” renditet i 41-ti në klasifikimin e IFFHS për vitin 2023.

Në këtë renditje kampionati shqiptar ka fituar 25 pozicione krahasuar me vitin 2022, teksa pozicioni aktual është më i miri në histori sipas IFFHS. “Abissnet Superiore” ka 410,5 pikë në këtë klasifikim ku përfshihen të gjitha kampionatet në të gjithë botën, duke lënë pas në renditje kampionatin slloven, sllovak, hungarez, suedez, rus etj.

Vendin e parë në renditjen e Federatës Ndërkombëtare të Historisë dhe Statistikave në Futboll e ka Serie A e Italisë për herë të 12. Kampionati italian ndiqet nga ai anglez dhe spanjoll.

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll është kualifikuar vitin që shkoi për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian, Gjermania 2024.

Ekipi i Shqipërisë ka luajtur kundër kombëtares së Moldavisë, në vendin e kësaj të fundit, dhe ndeshja ka përfunduar me barazim.

Golin për ekipin e Shqipërisë e ka dhënë Sokol Cikalleshi.

Shqipëria është shteti i 12-të që e ka rezervuar vendin për kampionatin me 24 ekipe pjesëmarrëse.

Kombëtarja e Shqipërisë është e para në grupin E.

Shqipëria ka tri pikë më shumë sesa ekipi i çekëve, vendin e dytë, dhe katër pikë më shumë sesa Moldavia dhe Polonia, të cilat e kanë edhe nga një lojë për ta luajtur.

Kjo, përndryshe, është hera e dytë që Shqipëria kualifikohet për Kampionatin Evropian në futboll.

Hera e parë ka qenë më 2016.