Botë e Çuditshme Lifestyle Travel

Të jetosh duke shfrytëzuar pasuritë e oqeanit, nëse destinacioni i radhës është ky qytet i Spanjës ka diçka që duhet të dini!

Për shekuj me radhë, banorët e qytetit piktoresk të Mutrikut në Spanjë, kanë jetuar duke shfrytëzuar pasuritë e oqeanit. I shtrirë në bregun verior të Spanjës, afërsisht 50 km në verilindje të Bilbaos, qyteti ka një vijë bregdetare të mrekullueshme, të krijuar nga stuhitë e fuqishme dhe dallgët e forta. Mutrik u krijua si një fshat peshkimi 800 vjet më parë, por mori zhvillim të madh gjatë mesjetës, falë tregtisë.

Gjatë kësaj periudhe, u ndërtua një port, shtëpi të shumta tregtarësh dhe u shtua ndjeshëm numri i anijeve. Të njohur dhe si ekploratorë të guximshëm, peshkatarët nga Mutriku nisën të shkonin në zona të largëta detare për të gjuajtur foka, balena dhe lloje të ndryshme peshqish. Produktet që ata sillnin, nxitën industrinë e lëkurës, jo vetëm në fshatin e tyre, por në mbarë Evropën. Violeta Bandrés, udhërrëfyese në Zyrën e Turizmit Mutriku tha se:

Mutriku konsiderohet ende si një nga qytetet mesjetare më të ruajtura në vendin bask dhe e gjithë historia e tij ka qenë e lidhur me detin. Është një histori e peshkatarëve, lundërtarëve, marinarëve; burrave dhe grave, jeta e të cilëve u zhvillua në këtë mjedis.

Ditët e sotme, oqeani po i shërben një qëllimi të ri, duke u shndërruar në një burim të madh fuqie. Në vitin 2011, qyteti ndërtoi “Uzinën e energjisë”, një termocentral që shfrytëzon forcën e valëve. I përbërë nga 16 turbina, uzina prodhon deri në 296 kilovat energji elektrike, e mjaftueshme për të furnizuar rreth 250 shtëpi dhe për të ulur 600 tonë emetim karboni çdo vit. Ky termocentral po jep një shembull shumë të mirë se si fuqia detare mund të luajë rol global drejt energjisë së pastër.

Dallgët në brigjet e Mutrikut janë aq të forta, sa që në fund të portit të vjetër, inxhinierët e shekullit të kaluar ndërtuan një valëthyes, një mur betoni 440 metra të gjatë që shtrihet si një krah mbrojtës përgjatë gjirit. Qëllimi ishte për të mbrojtur qytetin nga stuhitë dhe rrymat e forta oqeanike, por qeveria baske ndërtoi pikërisht në këtë vend impiantin e energjisë së valëve, që njihet nga vendasit si “El Dragon” (Dragoi).

Aktualisht, energjia e valëve është ende një burim kryesisht i pashfrytëzuar, pasi shkenca është përqendruar më shumë te burimet e tjera të rinovueshme, si dielli dhe era. Mirëpo në krahasim me këto të fundit, potenciali i valëve plotëson kërkesën e Evropës për energji 10 herë më shumë. Për këto arsye, interesi dhe investimet po rriten në të gjithë kontinentin për projekte që mund të shfrytëzojnë energjinë nga oqeani, dallgët dhe baticat.