Bota

Të paktën 18 viktima në një aksident me autobus në Pakistan!

Aksident rrugor në Pakistan, të paktën 18  persona gjetën vdekjen dhe 17 të tjerë u lënduan kur autobusi i tyre u përplas me një kamion dhe mori flakë. Siç njoftojnë autoritetet vendore, ngjarja ndodhi sot në një autostradë në provincën lindore, Punjab. Zaigham Ali, zyrtar i policisë lokale u shpreh:

Të paktën 18 persona, përfshirë fëmijë humbën jetën në aksident.

Autobusi kishte rreth 40 pasagjerë që udhëtonin nga qyteti jugor Karaçi drejt kryeqytetit, Islamabad. Shefi i Policisë në Punja, Fahad Ahmad:

Autobusi i pafat… u përplas me një kamion të vogël që ishte i mbushur me rezerva karburanti rreth orës 04:30. Menjëherë, mjetet shpërthyen në flakë dhe shoferi i kamionit ndërroi jetë në vend.

17 persona u lënduan rëndë dhe u dërguan në spital. Druhem se numri i viktimave do të rritet për shkak të gjendjes së rëndë të të lënduarve.

Aksidentet fatale rrugore janë të zakonshme në Pakistan, ku rregullat e trafikut rrallëherë respektohen e në shumë zona rurale, rrugët janë në gjendje të keqe.

Më shumë se 40 vetë humbën jetën në janar, pasi autobusi me të cilin po udhëtonin ra në përrua dhe u përfshi nga flakët në provincën jugore të Pakistanit, Balochistan.

Po në Pakistan, problem janë dhe aksidentet hekurudhore. Dy javë më parë, 22 persona gjetën vdekjen e mbi 50 të tjerë u plagosën, si pasojë e daljes së një treni nga shinat në jug të vendit.

10 vagonë të trenit dolën nga binarët. Ministri i Hekurudhave i Pakistanit, Khawaja Saad Rafique, tha se “ky është një aksident shumë i madh”. Treni doli nga binarët në afërsi të stacionit hekurudhor Sahara në qytetin Nawabshah, në jug të provincës Sindh.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale shfaqën dhjetëra njerëz në vendngjarje, disa prej të cilëve duke thyer dritaret për të ndihmuar udhëtarët të dilnin nga vagonët. Aksidente ndodhin shpesh në sistemin e vjetruar hekurudhor në Pakistan.