Art & Kulturë

“The Film Book” nga Ronald Bergan. Një vështrim mbi stilet dhe zhanret e kinemasë. Kritikë.

Filmi për mua ka qënë gjithmonë një ikje nga realiteti. Një frymëzim mbi çka mund të jesh apo çfarë mund të bëhesh, një argëtim po aq frymëzues sa edhe leximi madje ngandonjëherë prevalues. I kujtoj ende me ëndje kohët kur lija orët e fundit të 8-vjeçares për të kapur orarin e parë të kinemasë, sepse ishte më i liri në kohën kur ish-Kinema Republika, sapo ishte rikonstruktuar. Kujtoj që nëse më binte ndonjë lek në dorë e ruaja për të parë filmin më të ri, ose për të shkuar në dyqanet e dikurshme të DVD për të parë sa më shumë të ishte e mundur. Ndjeja se një film do më vlente më shumë sesa ti prishja ato para për të ngrënë diçka.

Por edhe pse kam parë shumë filma, kam prapë filma të rëndësishëm për kinemanë që ende nuk i kam parë, të tipit “Magjistari i Oz-it” (The Wizard of Oz). Ky i fundit konsiderohet një shtambë, dhe të tillë ka plot, që me siguri, mbase, nuk do arrij ti shoh dot kurrë.

Dhe kur dikush për do ditëlindje më parë më solli këtë libër/album mezi prisja ta lexoja. Leximi i tij përkoi me kohën kur punoja për filmin e parë të Top Channel FilmsNë Kuadër të Dashurisë.

The Film Book është ideal për t’u patur në shtëpi, si një libër që trashëgohet brez mbas brezi, një manual i cili shërben si një ndihmë për atë momentin kur nuk e di se çfarë të shohësh dhe për çfarë. Përmes informacionit dhe analizës së stileve, zhanreve dhe epokave të kinemasë ti e gjen veten në një botë fantastike të një ëndrre pa fund.

Libra si ky, të cilët janë kryesisht informativë, janë të tillë që nuk mund t’i cilësosh të bukur ose jo, por mund të thuash nëse janë të nevojshëm ose jo. Mendoj se për cinefilët ky është një must, edhe nëse e fut veten në profesionistët e fushës (ata që pretendojnë se dinë gjithçka). Edhe pse një nga industritë më lehtësisht të përtypshme nga publiku, kinemaja dhe rrënjët e saj përmes këtij libri bëhen më të dallueshme dhe të kuptueshme. Sidoqoftë, edhe për ata që filmin nuk e kanë aq të nevojshëm në jetën e tyre do të ishte një dhuratë e bukur.

Sigurisht industria perendimore e kinemasë (Anglia dhe Shba-të) zënë pjesën dërrmuese në faqet e këtij albumi, por vëmendje të madhe ka edhe pjesa më pak e shëtitur e kinemasë, ajo që gjithashtu ka ndikuar shumë në kinematografi. Ajo që më erdhi keq ishte mungesa e filmit shqiptar që nga kritizerë botërorë është vlerësuar [me të drejtë] shumë, përkundër kinemasë së vendeve fqinje të cilat historitë filmike të së cilave nuk ndryshojnë shumë nga vendi ynë.

Veç 100 filmave më të mirë të të gjitha kohërave libri përfshin edhe historinë e filmit që nga fillimi deri në nisje të viteve 2000 duke dhënë një panoramë të plotë dhe thuajse gjithëpërfshirëse të kinemasë dhe asaj që përfaqëson.

Diçka është e sigurit, me këtë libër nuk do të keni kurrë një pikëpyetje mbi çfarë do shihni këtë mbrëmje.