Celebrities Film & Tv

“The Whale” rikthen Brendan Fraser nën drejtimin e Darren Aronosfky-t me emocione si ato të kohëve të “Kampionit”. Loti çurk. Kritikë.

Në 1979 në kinema do të dilte një film i Franko Zeffirelli-t i quajtur “The Champ” me protagonist Jon Voight i cili luante rolin e një ish-boksieri (Billy) babai i një djali të vogël qime-kaçkavall me sy bojëqielli (T.J.). Billy i ndarë nga bashkëshortja e cila ndërkaq ishte martuar me një pasanik, kërkon të ri-fitojë zemrën e djalit të tij duke ju rikthyer edhe një herë ringut. Duhet të kem qënë tetë apo nëntë vjeç kur TVSH-ja e pas viteve ’90 nisi të transmetonte filma të kanaleve italiane (Rai ose Mediaset) dhe e kujtoj si tani kur në një nga mbrëmjet mbas lajmeve të orës 8, nisi të shfaqej ‘Kampioni’. Emocionin e përjetuar nga ky film, e kam aq të freskët; kam qarë aq shumë dhe aq gjatë sa vetëm kur kujtoj titullin më trishton.

Ecim në kohë deri përpara disa javësh. Në një intervistë të regjisorit New York-ez, Darren Aronosfki (“Pi”, “Requiem for a Dream”, “Black Swan”) i pyetur se pse zgjodhi të ekranizonte një shfaqe teatri kaq bazike edhe pse shumë emocionale si “The Whale”, ai tha:

E kam menduar gjatë. Është një projekt që ka ndenjur gjatë në sirtar derisa gjeta njerëzit e duhur, kryesisht protagonistin. Por arsyeja kryesore është se kemi harruar për çfarë shkojmë në kinema. Edhe unë vetë kisha kohë pa qarë me një film gjatë, njësoj si “The Champ”; Këtë kam dashur të sjell në kinemanë e ditëve të sotme. Pak emocion të pastër, të gjallë.

Për ata që e kanë parë “The Whale”, fjalët e regjisorit janë, pa asnjë dyshim, artikulim [shumë i afërt] i ndjesisë që provon.

Jemi thuajse në fund të sezonit të ceremonive të çmimeve kinematografike botërore dhe Brendan Fraser i kandiduar në secilën prej tyre (Golden Globes, Bafta, Oscars, Critics Choice, SAG) ka arritur të marrë vetëm dy statuja (Critics Choice dhe SAG Awards) – duke garuar gju me gju me Austin Butler për rolin e “Elvis” (i cili rrëmbeu Golden Globes dhe Bafta-n). Oscar-s janë akoma për t’u parë (Ceremonia mbahet në datë 12 Mars dhe do të transmetohet drejtpërsëdrejti nga Top Channel nën drejtimin e Z. Blendi Salaj). Fraser ju rikthye një roli kaq të madh, vite mbas suksesit të tij me filmat “The Mummy”. Jeta e aktorit ishte një kalvar peripecish që lidhen me lëvizjen #metoo në Amerikë. Në fakt aktori nuk njihej në fotografitë e përpara filmit, nëse imazhi që kishit në kokë ishte ai i Rick O’Connell në filmat kult të viteve ’90. Hollywood-i pati një shpërfillje ndaj tij, si njeri që kishte folur për abuzimin që koka të rëndësishme të industrisë së filmit kishin bërë me të në të shkuarën. Duke qënë se kjo ishte përpara rastit të Harvey Weinstein, aktori u aneksua, deri kur Z. Aronofsky e pa atë në një film të pavarur (indie) dhe ju ndez një llampë. Fraser ishte Charlie që ai kishte kërkuar prej gati një dekade. Nuhatja e Darren u shpërblye që në premierën e parë të filmit në Festivalin e Filmit në Venezia-s vjeshtën e kaluar kur filmi, e kryesisht performanca e Brendan u duartrokit për minuta të tëra me të gjithë sallën në këmbë, dhe aktorin e mikluar duke qarë, një video e cila u kthye në virale. Duartrokitjet zgjatën nga 6-10 minuta, deri tani nuk ka një kohë të saktë se sa ishin… e rëndësishme është që ishin shumë, ishin të gjata dhe ishin të sinqerta. Brendan Fraser meriton çdo lloj fjale mbështetjeje për interpretimin e tij në filmin modest të Aronofsky-t, mbase filmi më modest i tij që nga “Pi” (një film që regjisori e bëri me para të mbledhura nga të afërm dhe miq në Brooklyn, e njëkohësisht një nga filmat e tij më të mirë).

Për herë të parë Charlie shihet teksa masturbon përpara një laptopi. Ndërsa plani hapet ti arrin të shikosh një burrë obez në mënyrë morboze, ka aq tule mbi vete sa e ka të vështirë, thuajse të pamundur të lëvizë fare pak nga divani ku është ulur. Plani hapet edhe më, figura qëndrore e “The Whale” është veshur me tuta të qelbura nga e vjella, rrethuar nga kuti gjysmë të mbaruara të ushqimeve “Fast Food” në një shtëpi mjerane.

Kush do të më donte mua pjesë së jetës së tyre

pyet ai drejt fundit të filmit. Edhe vajza e tij e quan atë të pështirë.

Kush njeh filmat e Aronofsky-t, e di qartazi që regjisori nuk ka qime në gjuhë për t’iu qasur fenomeve siç ato janë pa dashur as ti qelbë më shumë, por as t’i mundohet t’i mbulojë duke qënë i kujdesshëm me kuadrin apo dekorin e set-it. Qasja e tij, edhe në këtë film është e suksesshme, sepse mjafton skena e parë filmit dhe ti menjëherë je në botën e një njeriu obez, i cili jeton një jetë thuajse të pa-mundur, në një mikro-kozmos tejet të dhimbshëm.

Shumë prej nesh që kanë parë Fraser tek filma si “George of the Jungle” as që na e pret mendja që ai, nën protezat e obezitetit (për të cilat i është dashur të punojë më gjatë se çdo njeri tjetër në set për shkak të kohës që donin për t’u montuar) do të ishte i aftë të realizonte një rol dramatik kaq të fuqishëm, me një shikim aq mbërthyes, sa zor se mund t’i rezistosh.

Charlie është një lektor on-line i lëndës së letërsisë angleze. Studentëve të tij online i thotë që nuk i punon kamera e laptopit, për t’i shpëtuar ata nga grotesku i vet. Ai është gjithashtu një ish bashkëshort, baba i një vajze tashmë adoleshente, një burrë që ka humbur dashurinë e tij të madhe tragjikisht, një njeri i mbushur me pendesë në kërkim të një shansi për të bërë të paktën një gjë të mirë në jetë.

Hong Chau, Ty Simpkins, Samantha Morton dhe ylli i “Stranger Things” Sadie Sink bëjnë gjithashtu një punë të shkëlqyer në një ngjarje e cila zhvillohet e gjitha brenda katër mureve. Mure të cilat lartësohen, thërmohen, ngrihen dhe shemben përsëri, në çdo minutë të një drame e cila është e mbushur me pathos. Edhe pse regjisori kërkon të manipulojë audiencën, në mënyrë të sofistikuar doemos, nuk mund të mos jesh dakord me zgjedhjen [dhe zgjidhjen] e tij kur shkon në fund të filmit.

Një film i vogël, por me zemër të madhe. Një film i fortë, që të dërrmon zemrën por që të mbush shpirtin.