Bota

Thellohet skandali, gjenden të tjera dokumente të klasifikuara në shtëpinë e presidentit Biden!

Gjashtë dokumente shtesë të klasifikuara gjetën hetuesit e Departamentit Amerikan të Drejtësisë gjatë kontrolleve 13 orëshe në shtëpinë e presidentit Joe Biden në Delauer. Disa prej tyre datonin nga koha kur Biden ishte senator, ndërkaq të tjerat i përkisnin periudhës kur shërbeu si zv.president në administratën e Barack Obamës.

Avokati i tij Bob Bauer tha se edhe “shënime me shkrim dore” e “të tjera materiale” u morën nga autoritetet. Shefi i Shtëpisë së Bardhë dhe bashkëshortja nuk ishin të pranishëm në shtëpi në kohën kur u kryen kontrollet.

Biden mundësoi akses në shtëpinë e tij, që Departamenti i Drejtësisë të kontrollonte të gjithë pronën për të gjetur dokumente të mundshme të kohës kur ishte zv.president apo të klasifikuara.

Ndërkohë ish-presidenti amerikan, Donald Trump po përballet me një hetim penal, i dyshuar se nuk mbajti siç duhet dokumentet e klasifikuara. Më herët këtë muaj, avokatët e Biden-it njoftuan se më 2 nëntor gjetën grupin e parë të dokumenteve të klasifikuara, në Qendrën Penn Biden, institut i themeluar në Uashington nga Joe Biden.

Grupi i dytë i materialeve u gjet më 20 dhjetor në garazhin e shtëpisë së tij në Uillmington, ndërsa një tjetër dokument u zbulua në depon e banesës, më 12 janar. Menjëherë më pas, ato iu dorëzuan Arkivave Kombëtare e Departamentit të Drejtësisë. Mbetet e paqartë se përse Biden i kishte mbajtur.

Sipas ligjit, dokumentet e Shtëpisë së Bardhë duhet t’i dorëzohen Arkivave Kombëtare sapo një administratë të mbarojë mandatin. Këshillltari i posaçëm, Robert Hur u ngarkua me hetimet për të hedhur dritë mbi mënyrën si u mbajtën këto dokumente të ndjeshme. Çështja mund të jetë një “kokëçarje politike” për Biden-in, i cili pritet të deklarojë nëse do të garojë edhe për një mandat presidencial.

Ekipi i tij tha se “presidenti po bashkëpunon me Departamentin e Drejtësisë”. Zbulimi i dokumenteve vjen në kohën kur ish-presidenti Trump po hetohet për mënyrën si i ka mbajtur qindra dokumente të klasifikuara në shtëpinë e tij në Florida, pasi refuzonte t’i dorëzonte. Trump dhe avokatët e tij i rezistuan dorëzimit të dokumenteve, por Byroja Federale e Hetimeve (FBI) i bastisi shtëpinë në Florida, gushtin e kaluar. Ai ka argumentuar se FBI-ja po e trajton në mënyrë më favorizuese Bidenin.