Showbiz

Top Awards: Sidrit Bejleri: “A ish’ njesoj” është nga ato këngët ëmbla dhe të thjeshta që përthithen shpejt nga masa

Pas tre këngëve ritmike, artisti i mirënjohur i muzikës shqiptare, Sidrit Bejleri ka vendosur të vijë romantik. “A ish’ njesoj” titullohet prurja më e re e këngëtarit të dashur të publikut shqiptar, falë të cilës është futur menjëherë në klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare. Me muzikë të Irkenc Hykës dhe tekst të vetë artistit të ndikuar paksa nga vargjet e Irkencit, “A ish’ njesoj”, është cilësuar si një ndër baladat më të dashura për Sidrit Bejlerin dhe duket se fansat e kanë mirëpritur këtë projekt muzikor, duke e dëgjuar dhe sugjeruar për t’u bërë pjesë e listës.

Pavarësisht se vazhdon misionin e tij të bamirësisë, Sidriti vazhdon të jetë aktiv, duke qëndruar sa më pranë fansave me muzikën e tij.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Sidriti ka folur për fabulën “A ish’ njesoj” si dhe për albumin e ri, i cili pritet të publikohet së shpejti.

TA: “A ish’ njesoj”, për çfarë flet ky projekt muzikor? Kush është kujdesur për tekstin, muzikën dhe klipin?

Sidrit Bejleri: Duhej një baladë pas tre këngëve të fundit ritmike “Sa fort te du”, “A e ke ndi” dhe “Yll i bukurise”. Kishte që në fillim të vitit tjetër që Irkenc Hyka m’a kishte propozuar si projekt por doja të ofroja ritëm dhe atmosferë të gëzueshme në atë periudhë. Tani ishte koha për një baladë të ndjerë dhe pa shumë komplikime. Melodia siç thashë më lartë është e Irkenc Hykës. Teksti, krijim imi ndikuar nga pak vargje të Irkencit, pa pretendimin se mund të ishte fabula e vertetë por u inspirova dhe bëra lirikën “A ish’ njesoj”. Të gjitha klipet derimë sot i kam ideuar vetë, pasi video duhet të justifikojë muzikën dhe tekstin, pavarësisht se besoj në mënyrë absolute që muzika është bërë për t’u dëgjuar dhe jo për t’u parë. Video është realizuar nga “ProVideo”. Fabula e “A ish’ njesoj” përshkruan historinë e dy të rinjve që në adoleshencën e hershme patën një dashuri platonike mes tyre. Nga ato dashuritë që nuk i shfaqen dhe biles asnjë fjalë e thënë njëri-tjetrit. Pamundësia e vërtetimit nëse një ndjenjë e tillë e fuqishme ekzistonte tek të dy dhe pikëpyetja tashmë pas rreth 20 vitesh nëse ishte e njëjta ndjenjë për të dy.

TA: Pse vendosët të mos paraqiteshit në klipin e këngës?

Sidrit Bejleri: Duke patur parasysh që historia u materializua nga dy aktorë profesionistë si Kristjana Doda dhe Jozef Shiroka, me aq vërtetësi, sharm dhe emocion, pasi pamë materialin filmik, bashkë me Spiro Ninon, duke qënë se marrëdhënia mes personazheve ishte emocionalisht e arrirë dhe çdo shfaqje e imja në video do e pengonte këtë dramë të tyren, vendosa te mos shfaqem.

TA: “Na kishte munguar një perlë si kjo”, shprehen fansat, mendon se fansat tuaj pëlqejnë më shumë Sidritin romantik?

Sidrit Bejlerin: Në fakt nuk kam dalë pak herë si romantik. Mund të veçoj “Ne prag te deres” dhe trion “S’ta kam thene”. Mesa duket muzika dhe lirika u blatuan kaq fort bashkë saqë dhe publiku bën përcaktime të tilla por konstatimi im është që e duan shumë edhe Sidritin shend e verë.

TA: Ju keni lundruar në disa zhanre muzikore, ju ku e gjeni vetën më mirë?

Sidrit Bejleri: Vërtet, në çdo rrymë që kam lëvruar jam përfshirë në të duke dhënë maksimumin, prandaj më etiketojnë si një tip kameleoni artistik. Një gjë është e sigurtë, më ka qëndruar mirë vetëm petku i Artit të vërtetë, të cilit i kam dhënë dimensionin tim shpirtëror dhe profesional.

TA: E keni cilësuar si një ndër baladat më të dashura për ju, pse?

Sidrit Bejleri: Kam tentuar shpesh të bëj gjëra më të ndërlikuara seç tregu muzikor arrin të përqafojë, duke u munduar edhe të edukojë shijet. Me thjeshtësi dhe sinqeritet pushton botën e kjo vlen dhe në muzike. “A ish’ njesoj” është nga këngët ëmbla dhe të thjeshta që përthithen shpejt nga masa. E kur ta duan një krijim, s’ka si mos ta duash dhe vetë.

TA: “A ish’ njesoj” të bën për herë të parë pjesë të “The Top List”, çdo të thotë kjo për ju?

Sidrit Bejleri: Mendoj se arti është personal dhe për rrjedhojë nuk ka krahasim. Me muzikën dhe tekstet që kam shkruajtur kam dashur të shpalos dhuntinë time dhe jo detyrimisht të krahasohem, sidoqofte çdo vlerësim pozitiv është respekt dhe të bën të ndjehesh mirë.

TA: Cili do të jetë projekti i radhës? Përflitet se do të kemi një album nga ju, a mund të kemi më shumë detaje për këtë?

Sidrit Bejleri: Projekti i radhës mund të jetë një bashkëpunim me doza pse jo dhe komerci, pasi me “A ish’ njesoj” tregova faqen e vërtetë. Sa për albumin “Pat kene nji kohe” ka pak që ka mbaruar por impenjimet e shumta, sidomos misioni i bamirësisë “Shqiptaret per shqiptaret” ma ka vonuar një gjë të tillë. Eshtë një album tek i cili çdokush e gjen veten nga pak, sidoqoftë më mirë vonë se kurrë. Detajet, kur t’a publikoj…

TA: A keni një mesazh për mbështetësit e muzikës tuaj?

Sidrit Bejleri: Muzika është një ndër çelësat shpirtit. Të përshkon pa marrë kurrë lejë. Dëgjoni muzikën e vërtetë dhe mundohuni të kuptoni se ku i drejtoni emocionet tuaja nëpërmjet saj. Të jeni të bindur se muzika edukon shije dhe breza, nga të cilat varet jo pak marrëdhënia njerëzore. Heret a vonë të gjithë shmangën nga shijet e adoleshencës duke kërkuar mesazhin, vazhdimësinë, të vërtetën dhe mbi të gjitha përjetësinë.