Zjarr në një lagje romësh në Tivar të Malit të Zi, 4 viktima. Nga flakët që shpërthyen në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, humbën jetën tre të mitur dhe një person në moshë madhore. Zjarri që ra rreth orës 04:00, përfshiu disa objekte dhe më pas u njoftua zjarrfikësja.
Siç bëri të ditur prokurorja Mirjana Tankosiç Vuçiniç për Radion Evropa e Lirë, katër trupat e pajetë u gjetën në vendngjarje.
Kemi gjetur katër baraka të shkrumbuara dhe katër trupa të djegur. Shkaku i zjarrit do të mësohet pas vlerësimit të ekspertëve.
Zjarri përfshiu një lagje të improvizuar ku jetojnë kryesisht persona të komunitetit rom.
Këshilli i Romëve në Mal të Zi tha se kjo tragjedi tregon sa shumë është e nevojshme shpërngulja e familjeve rome nga lagje të tilla.
Fakti që shumë familje detyrohen që të jetojnë në baraka të parafabrikuara, pa kushte dhe sigurinë e duhur është një problem serioz social. Pa mbështetjen dhe masat e duhura mbrojtëse, këto familje janë të ekspozuara ndaj një rreziku më të madh të aksidenteve siç është ky zjarr.
Këshilli i Romëve u bëri thirrje autoriteteve shtetërore që të përmirësojnë kushtet e banimit për popullatën rome në Tivar dhe në mbarë Malin e Zi.