Bota

Turqi, nis balotazhi presidencial Erdogan-Kiliçdaroglu/Sot mësohet emri i presidentit të ri!

Në Turqi filloi balotazhi që do të përcaktojë kush do të jetë presidenti i ri i vendit mes kreut aktual të shtetit, Recep Tayyip Erdogan dhe kandidatit të opozitës, Kemal Kiliçdaroglu.

Ndërkohë, përfundoi procesi i votimit për mbi 1,89 milion shtetas turq me banim jashtë vendit për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

“Aleanca e Popullit” e presidentit Recep Tayyip Erdogan fitoi shumicën në Parlament, ndërsa gara presidenciale kaloi në raundin e dytë për shkak se asnjë kandidat nuk siguroi më shumë se 50% të votave. Por, Erdogan kryesoi në turin e parë me 49,52% të tyre.

Përballë ka kreun e Partisë Republikane Popullore (CHP), Kemal Kiliçdaroglu, kandidat i përbashkët i “Aleancës Kombëtare”, e përbërë nga gjashtë forca politike opozitare.

Kjo ishte hera e parë në 20 vjet në pushtet që Erdogan nuk fitoi zgjedhjet që në raundin e parë. Një ditë para balotazhit, Erdogan u bëri thirrje turqve që të dalin në votime.

A do të vrapojmë nesër drejt qendrave të votimit? A do të votojmë që në mëngjes? Nuk duhet të mungojë askush që ka votuar në raundin e parë! Ne do të nxisim qytetarët që nuk dolën në raundin e parë të zgjedhjeve. A do ta përfundojmë punën që mbeti përgjysmë më 14 Maj me një shumicë dërmuese, duke e bërë diferencën më të madhe nesër?

Kiliçdaroglu apeloi që shteti të largohej “nga errësira” që sipas tij është futur gjatë qeverisjes dydekadëshe të Erdoganit.

Nëse vërtetë doni, ne mund të dalim së bashku nga kjo gropë e errët. Po i bëj thirrje të gjithë popullit, pavarësisht pikëpamjeve, kjo është ndalesa e fundit. Të gjithë që e duan shtetin e tyre duhet të dalin të votojnë!

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të majit, opozita turke i pa si mundësinë më të mirë për të rrëzuar nga pushteti Erdoganin dhe për të hequr dorë nga ndryshimet që presidenti turk ka bërë në këtë shtet për të zgjatur qëndrimin në pushtet.

Fushatën për balotazh, dy kandidatët e kanë përqendruar në përpjekjet për të bindur rreth 8 milion votues, që nuk votuan në raundin e parë të zgjedhjeve.