Art & Kulturë

U hap sot Kopshti i ri Zoologjik në Tiranë, rikthehen drerët, tigri apo luani

Kopshti i ri Zoologjik hapi dyert sot, me një sërë surprizash për fëmijët e Tiranës, që do ta kthejnë vizitën në një eksperiencë të bukur për ta. Kopshti Zoologjik është konceptuar si një hapësirë ndryshe, jo vetëm për t’u njohur me kafshët, por edhe për të mësuar gjëra të reja për to në klasa të posaçme.

Kopshti Zoologjik i Tiranës iu nënshtrua transformimit të plotë të tij. Nga një hapësirë e harruar, Bashkia e Tiranës e rikonceptoi atë, duke iu përshtatur kërkesave të ndryshme të vizitorëve që e frekuentojnë dhe kafshëve që jetojnë aty.

Kopshti ofron hapësira për shërbime dhe mjedise të nevojshme për vizitorët, ambiente rekreative ku mbizotërojnë hapësirat e gjelbra, si dhe këndet e lojërave për fëmijë, por nuk mungojnë as mjediset edukative për studentët dhe nxënësit që studiojnë veçanërisht botën e kafshëve.

Kafshët që do të shihni në kopshtin zoologjik, Tirana Zoo Park hap dyert për vizitorët

Kryeministri Edi Rama postoi në rrjetet sociale foto të kafshëve që fëmijët dhe të rriturit mund të shohin në Tirana Zoo Park, si tigri, luani, drerët, dhelpra, kuajt apo lloje të ndryshme shpendësh.

“Tirana Zoo Park, që hap dyert sot, i rilindur si një nga hapësirat më moderne në rajon, për të njohur nga afër botën e kafshëve, por edhe si një hapësirë e re rekreative për të vegjël e të rritur”, shkruan kryeministri.