Bota

“Ushtri e përbashkët me 5 mijë trupa”, konferenca e kryeparlamentarëve të vendeve të BE miraton krijimin e forcës për t’ju përgjigjur krizave!

Konferenca e kryetarëve të Parlamenteve të Bashkimit Europian, u mbyll sot në Palma de Mallorca miratoi një deklaratë të përbashkët mbi krijimin e një force mbrojtëse të përbashkët evropiane prej 5 mijë ushtarësh për t’ju përgjigjur krizave.

Po ashtu deklarata kërkon që të vijohet e gjithë mbështetja e nevojshme për Ukrainën në fushën humanitare dhe ushtarake. Në të njëjtën kohë bëhet thirrje për një pauzë të menjëhershme në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Në deklaratën përfundimtare të Konferencës të inaguruar dje nga mbreti Felipe VI, shfaqen pika të ndryshme për sigurinë e vendeve anëtare dhe investimet në mbrojtje në funksion të autonomisë industrial dhe teknologjike të BE-së.

Për kryetarët e parlamenteve të vendeve të BE, nisma e bashkimit për të pasur një ushtri të vetën, për të vepruar në mbrojtje të sigurisë së qytetarëve dhe interesave të tyre, është e një rëndësie të veçantë.