Bota

‘Varësia e shekullit’, sipas zyrtarit të lartë të Shëndetit fëmijët e kësaj moshe nuk duhet të kenë media sociale!

Fëmijët 13-vjeçarë janë shumë të vegjël që të lejohen të regjistrohen në platforma të mediave sociale. Ky është një sugjerim i dhënë nga zyrtari i lartë i departamentit të Shëndetit Publik në Shtetet e Bashkuara, Vivek Murthy. Gjenerali Murthy argumenton se edhe pse këto platforma i lejojnë fëmijët e kësaj moshe që të kenë një llogari, ata janë ende duke zhvilluar identitetin e tyre.

Facebook, Twitter dhe gjigantë të tjerë të mediave sociale, me rregullat aktuale, i lejojnë fëmijët 13-vjeçarë që t’u bashkohen platformave të tyre. Ai shpjegoi për CNN se:

Personalisht, bazuar në të dhënat që kam parë, besoj se 13-vjeç është shumë herët. Është një moshë kur ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për mënyrën sesi ata mendojnë për vetëvlerësimin e tyre apo marrëdhëniet që kanë dhe mjedisi shpesh herë i shtrembëruar i mediave sociale, u shërben për keq shumë prej atyre fëmijëve.

Kujtojmë se numri në rritje i përdoruesve adoleshentë në mediat sociale ka ngritur shqetësim mes ekspertëve të shëndetit, të cilët bazohen në studimet e shumta që tregojnë dëmet që këto platforma mund t’u bëjnë adoleshentëve. Murthy i këshilloi prindërit që të qëndrojnë të bashkuar përpara vendimit për të mos i lejuar fëmijët që t’i përdorin mediat sociale derisa të jenë 16, 17 apo 18 vjeç.

Pavarësisht gamës së gjerë të mjeteve të sigurisë në internet të disponueshme për prindërit dhe shkollat sot, fëmijët shohin imazhe pornografike më herët nga sa mendojnë shumë prindër. Deri në moshën 12-vjeçare, shumica e fëmijëve kanë parë padashje pornografi dhe mjaft 9-vjeçarë kanë parë gjithashtu.