Bota

Vdes burri që i vuri flakën vetes jashtë gjykatës, gjatë gjyqit të Trump-it!

Ndërron jetë burri, i cili i vuri flakën vetes në një park përballë gjykatës në Nju Jork, gjatë procesit penal në vazhdim ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump. Fillimisht, kalimtarët tentuan t’i jepnin ndihmën e parë dhe më pas ndërhynë agjentët e policisë që e dërguan në spital, por duket se nuk ka arritur t’iu mbijetojë plagëve të rënda nga djegiet e shkaktuara prej spërkatjes me benzinë.

Kundërshtarët dhe mbështetësit e Trump-it lejohen të mblidhen për protesta në parkun Collect Pond Park, por vetëm disa e kanë bërë këtë në ditët e gjyqit. Territori mbahet i rrethuar me barrikada e ka hyrje të hapura.

Ngjarja e rëndë ndodhi në kohën kur procesi i përzgjedhjes të gjithë anëtarëve të jurisë në gjyqin penal ndaj ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump u përmbyll dje duke i hapur rrugën prokurorëve dhe avokatëve mbrojtës që të bëjnë deklaratat hapëse javën e ardhshme, në një çështje që rrjedh nga paratë paguar një ish-aktoreje filmash për të rritur, për të blerë heshtjen e saj lidhur me një marrëdhënie të dyshuar me Trump-in.

Dymbëdhjetë anëtarët e jurisë që u zgjodhën, së bashku me gjashtë rezervë do të shqyrtojnë provat në procesin e parë gjyqësor penal ndaj një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara.

Juria do të shqyrtojë akuzat se presidenti i 45-të kreu komplot në vitin 2016, pak përpara fillimit të fushatës së tij të suksesshme presidenciale, për të fshehur pagesat me para’ për dy gra, të cilat pretendojnë se kishin marrëdhënie jashtëmartesore me të.

Prokurorët thonë se Trump u përpoq të fshihte informacione komprometuese rreth jetës së tij private nga votuesit amerikanë, pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Por, Donlad Trump, i cili ka mbajtur postin e presidentit nga viti 2017 deri në vitin 2021 e pritet të jetë kandidat i republikanëve në zgjedhjet e 5 nëntorit të këtij viti, i ka mohuar të gjitha 34 akuzat për krime në padinë e ngritur kundër tij një vit më parë.

Nëse shpallet fajtor, mund të dënohet deri me katër vjet burg. Anëtari i Gjykatës së Lartë të Nju Jorkut, Juan Merchan tha se hapja e argumenteve në këtë çështje mund të fillojë të hënën në mëngjes, në një gjyq që mund të zgjasë gjashtë javë.