Rajoni

Vendimi për dinarin serb, kryeministri Kurti: Nuk mund ta zhbëjmë!

Kryeministri Albin Kurti, tha se nuk do të hiqet dorë nga vendimi që vetëm euro të jetë valuta për pagesa në Kosovë, por shtoi se po respekton kërkesat e faktorit ndërkombëtar për këtë çështje. Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore, e cila përjashton valutat e tjera, përfshirë dinarin serb për pagesa.

Gjatë një interviste për Bloomberg-un, Kurti përsëriti se me rregulloren e BQK-së për operacione me para, nuk ndalohet mbajtja e dinarëve serbë, pasi kjo valutë mund të përdoret për pagesa vetëm pasi të konvertohet në euro në një nga bankat e licencuara në Kosovë.

Nuk mund ta zhbëjmë këtë vendim. Pra, ata kërkuan më shumë kohë dhe ne po u japim më shumë kohë. Tani, edhe partnerët tanë amerikanë dhe europianë po thonë se rregullorja është ligjore sepse po lufton financimin e terrorizmit, aktivitetet e paligjshme, por ne nuk duhet të ngutemi shumë në zbatimin e plotë. Kështu do të veprojmë gjatë shkurtit.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi iu paguan rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë përmes një sistemi paralel.

Rregullorja është kritikuar nga faktori ndërkombëtar që ka argumentuar se vendimi është marrë pa konsultime paraprake. Ndërkombëtarët i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e saj, duke theksuar se duhet më shumë kohë për përshtatjen e komunitetit serb me vendimin.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se përgjatë shkurtit do të ketë fushata për informimin e serbëve mbi këtë vendim e në këtë kuadër, dje Kurti iu adresua qytetarëve serbë në serbisht, duke thënë se vendimi nuk e ndalon Serbinë që të vazhdojë të ndihmojë serbët në Kosovë.

Gjatë intervistës në Bloomberg, Kurti u pyet se cili është qëllimi i tij final për serbët në veri të Kosovës, ku ata përbëjnë shumicën e popullsisë.

Kurti tha se dëshiron që ata të integrohen në shoqëri, duke theksuar se shumica e tyre e ka bërë këtë, përmes pajisjes me letërnjoftime dhe pasaporta të Kosovës.

Problemi nuk janë serbët e Kosovës, problemi është regjimi autokratik në Beograd e që është bashkëpunëtor rus. Eshtë regjim që varet nga Kremlini. Ata janë duke bërë këtë alarmimin para-apokaliptik, duke nxitur tensione etnike sepse duan të shkaktojnë probleme në rajon.

Gjatë një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 8 shkurt, ku u diskutua për situatën në Kosovë pas vendimit për ndalimin e dinarit, Serbia dhe Rusia thanë se me këto veprime, Kosova po kryen “spastrim etnik” ndaj serbëve në Kosovë. Kurti iu përgjigj këtyre akuzave, duke i cilësuar “gënjeshtër”.